Aktualitet

Rritje me 54% e të huajve në Shqipëri, ecuri e mirë e Turizmit për shkurtin!

Edhe në shkurt, turizmi në vend vijoi me ecuri pozitive. Statistikat zyrtare të Lëvizjes së Shtetasve tregojnë se në krahasim me muajin e dytë të 2022-shit, u rritën me rreth 54% hyrjet e të huajve në territorin shqiptar. Në publikimin e Institutit të Statistikave thuhet:

Hyrjet e shtetasve shqiptarë e të huaj në territorin shqiptar, në muajin shkurt 2023 janë 695 mijë e 246. Ky tregues rezulton me një rritje 51,5%, krahasuar me shkurtin 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit shkurt 2023 janë 693 mijë e 21, duke shënuar një rritje me 40,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në shkurt 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 385 mijë e 921. Ky numër u rrit me 49,6% krahasuar me shkurt 2022. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 309 mijë e 325. Ky numër është rritur me 53,9%, krahasuar me shkurt 2022.

I njëjti nënvizon se gjatë dymujorit të parë 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 686 mijë e 536. Ky numër u rrit me 73,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

INSTAT raportoi edhe për një rritje të shqiptarëve që dalin jashtë vendit. Në muajin shkurt 2023 ishin 389 mijë e 654 shtetas që lanë territorin tonë.

Krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar, ky tregues u rrit me 32,7%. Muajin e kaluar, daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë janë 303 mijë e 367. Krahasuar me shkurtin 2022, ky tregues u rrit me 51,5%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë dymujorit të parë të këtij viti është 931 mijë e 767 duke u rritur 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT-it, gjatë shkurtit, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është Europa me 300 mijë e 57 shtetas, pasuar nga Amerika e Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 6 mijë e 250 dhe 1 mijë e 363 shtetas.

Referuar të dhënave, rezulton se në shkurt 2023 krahasuar me shkurtin 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur për qëllime personale me 55,8%, për qëllime pushimesh, vizitë te të afërm, etj me 54,3%; për biznes dhe qëllime profesionale me 6,3%.