Aktualitet

Sherr me armë zjarri në Durrës, plagoset një person!

Të shtëna me armë zjarri në Xhafzotaj të Durrësit, plagoset një person. Ngjarja ndodhi rreth mesdite dhe pas një konflikti të çastit, mbeti i lënduar një 36-vjeçar, banues në Shijak. Ai mbeti i plagosur në këmbë dhe u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rreziku për jetën. Ndërkaq, policia identifikoi dhe po punon për kapjen e autorit të dyshuar, i moshës 30-vjeç. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Rreth orës 11:15, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi E. D.,36 vjeç, banues në Shijak, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar shtetasit A. H., 30 vjeç, banues në Durrës dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në një tjetër zhvillim, Policia e Dibrës prangosi 30-vjeçarin Ardit Aldedaj (Begu), në kërkim për “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Policia bën me dije se specialistët e Krimeve të Rënda të Dibër, bënë ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për ndalimin e 30 vjeçarit, banues në Peshkopi, e cila kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Armbajtja pa leje”.

Aldedaj në qershor të vitit 2023, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë shtetasin S.A. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Edhe Policia e Fierit njofton për operacionet e kryera orët e fundit:

Kapet në flagrancë një shtetas 17 vjeç, banues në Fier, i cili lëvizte në qytet, me armë zjarri pistoletë, me municion, të cilën e mbante në automjetin që drejtonte pa leje. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë dhe 13 fishekë. Veprimet procedurale me të miturin vijojnë të kryhen në prani të psikologut, mbrojtësit ligjor, dhe prindit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Po ashtu:

Fier/Aksione të përditshme në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për të zbuluar ambientet e përshtatura për lojëra fati, si dhe për të goditur rastet e armëmbajtjes pa leje.

Zbulohen 2 lokale ku viheshin baste sportive, si dhe goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.

Shpallet në kërkim njëri prej pronarëve të lokaleve, procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas.

Sekuestrohen 3 makineta, 3 celularë dhe 1 armë zjarri pistoletë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në 2 lokale, në lagjen “Apollonia” dhe lagjen “Liri”, Fier viheshin baste sportive.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këto raste, u procedua në gjendje të lirë pronari i lokalit në lagjen “Liri”, shtetasi F. K., 64 vjeç, u shpall në kërkim pronari i lokalit tjetër, shtetasi S. M., 33 vjeç. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë, pasi u kapën teksa vinin baste sportive në këto lokale, shtetasit Xh. K., 29 vjeç, F. A., 19 vjeç, M. Ç., 25 vjeç.

Punohet për kapjen e 33-vjeçarit.

Ndërkaq, në Angli policia arrestoi autorin e dyshuar të vrasjes në Londër të shqiptarit nga Peqini, Bajram Luli, 27 vjeç, ngjarje e ndodhur më 13 mars 2024. Në pranga u vu shtetasi Sabin Manda, 31 vjeç.