Aktualitet

Sherri në rrjetet sociale që i mori jetën Greit, në pranga dhe një 17-vjeçar. Autori: Nuk doja ta vrisja!

Një 17-vjeçar është arrestuar këtë të martë për vrasjen e 19-vjeçarit Grei Bihuci, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në qendër të Fierit.

Sipas policisë, i mituri me iniciale K.M., është personi i dytë i arrestuar për këtë ngjarje, pasi dje në flagrancë u prangos autori kryesor i dyshuar, Florjan Muka, 18 vjeç.

Policia thotë se të dy të rinjtë goditën disa herë me thikë 19-vjeçarin Grei Bihuci, duke i shkaktuar vdekjen.

Nga ngjarja mbeti i plagosur me thikë edhe një 20-vjeçar me iniciale O.S., i cili ndërhyri për të shuar sherrin. Gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Thika dhe një përforcues grushti u gjetën në vendngjarje dhe janë sekuestruar nga policia.

Mbi ta rëndon vepra penale “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim”, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Sipas burimeve, vrasja e të riut ndodhi për motive krejt banale, për shkak të një mosmarrëveshje në rrjetin social Facebook mes viktimës dhe autorit kryesor të dyshuar, 18-vjeçarit Muka.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se ka qenë një “like” ndaj një vajze në rrjet që ka ndezur konfliktin dhe që Grei mund të mos ketë pasur asnjë lidhje, por vetëm ka ndërhyrë për të ndarë palët.

Por sipas TCH, zanafilla e sherrit ka qenë një thikë, që autori Muka ua kishte dhënë shokëve të viktimës dy muaj më parë. I riu kishte kërkuar që t’i kthehej arma e ftohtë dhe pas një sherri arriti ta merrte.

Kjo përplasje mes të rinjve është pasuar nga një tjetër sherr në rrjetet sociale, i cili ka degraduar deri në komente fyese.

Të rinjtë u takuan ditën e hënë në Fier për t’u sqaruar dhe mbyllur debatin, megjithatë situata ka përshkallëzuar në përleshje fizike, ku është përdorur edhe thika, nga e cila humbi jetën 19-vjeçari.

Në dëshminë e tij dhënë në polici, Muka ka deklaruar: “Nuk doja ta vrisja, por thjesht u bë rrëmujë dhe nuk mora vesh çfarë bëra”.

Një koleg u shpreh i shokuar dhe i bën thirrje të rinjve “ të qëndrojnë me këmbë në tokë që të mos përfundojnë si Grei”.

“Kjo që ka ndodhur na ka shokuar të gjithëve si pjesë e stafit ku Grei punonte. Ishte një djalë i përkushtuar, një djalë i dashur, thirrje që dua të bëj përtej ngushëllimeve është që rinia e sotme të mundohet, të qëndrojë sa më shumë me këmbë në tokë që të mos përfundojnë si ai. I shpreh ngushëllimet e mia familjes, fjalë të tjera nuk di çfarë të them, jemi të shokuar”, shprehet një koleg i Greit.

19-vjeçari, Grei Bihuci ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë.

Ndërsa pasditeve, punonte kamerier në një bar-pasticeri në Bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi.

Ndërkohë, sot, shokë dhe kolegë të të Greit kanë kryer homazhe në vendin ku i riu mbeti i vrarë, pak para se t’i jepej lamtumira e fundit nga familjarët dhe të afërmit.

Me lule në duar, të rinjtë, kanë ndezur edhe qiri në vendin ku humbi jetën. Të trishtuar dhe me lot në sy ata kujtuan shokun e tyre për të cilin shprehën konsideratat më të mira duke thënë se ndihen tepër të pikëlluar për humbjen e jetës në këtë mënyrë për mikun dhe shokun e tyre.