Aktualitet

Shirat e dendur, vërshim ujërash në Bulqizë e Librazhd/Rrugët në Shkodër, të hapura për qarkullim!

Stuhia e një nate me parë, me shira të rrëmbyer ka shkaktuar përmbytje në Librazhd. Uji vërshoi në rrugë e për pasojë, disa persona mbetën të bllokuar në një automjet. U kërkua ndërhyrja e zjarrfikësve për të bërë të mundur daljen e tyre.

Stuhia solli edhe bllokimin e aksit kombëtar Elbasan-Librazhd, pasi në rrugë ranë gurë të shkëputur nga shpati i malit. Rruga u hap rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar.

Edhe në Bulqizë pati reshje të dendura të shiut dhe u bllokua rruga që lidh Lagjen e Vjetër me Lagjen e Re, ndërsa u dëmtuan disa makina. Shkak u bënë prurjet e mëdha të përrenjve që shkarkojnë në kanalin kryesor, si dhe bllokimi i pusetave nga reshjet e dendura. Si pasojë e bllokimit të rrugës, banorët e patën të pamundur të lëviznin në këtë segment, por jo vetëm.

Banorë e drejtues të automjeteve shprehen se bllokimi i këtij segmenti rrugor ndodh shpesh e theksojnë se duhet një ndërhyrje në pastrimin e kanalit kryesor, pasi në të ka shumë inerte duke bllokuar edhe lëvizjen e ujit.

Për shkak të reshjeve, në rrugën e Arbrit rrëshqitën gurë në rrugë, duke rrezikuar drejtuesit e automjeteve.

Reshjet e borës vazhdojnë në Shkodër, por sot paraqiten më pak probleme. Në akset Bogë-Theth e Tamarë-Vermosh, natën pati reshje shiu që më pas gjatë mëngjesit u kthyen në dëbore. Ndërkohë, po punohet për pastrimin e borës dhe rrugët janë të hapura për qarkullim. Në aksin Hani i Hotit-Tamarë vazhduan edhe sot reshjet të dendura të shiut. Ndërkohë, në Kelmend ka ndërprerje të energjisë, për shkak të motit të keq.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se për ditën e sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike. Moti mbetet me vranësira mesatare e të dendura deri në orët e mesditës dhe më pas, na shoqërojnë vranësira mesatare kalimtare.

Po ashtu, nuk mungojnë reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në pjesën më të madhe të territorit shqiptar. Në orët e pasdites, reshjet humbasin terren dhe intensitet. Në orët mbrëmjes e në vazhdim ka ndërprerje të tyre në të gjithë vendin. Prezencë të reshjeve të dobëta të borës ka në Alpe dhe në relievet malore në veri e verilindje.

Mjegull/mjegullinë për shkak të reshjeve. Era fryn intensive me drejtim jugperëndim-veriperëndim e me shpejtësi mesatare 1-6 m/sek. Përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina, era fryn me shpejtësi 8-10 m/sek, shoqëruar me valëzim të lartë në dete të 1-2 ballë.