Aktualitet

Shkodër, 1.320 ha tokë ende në ujë/ARRSH: Qarkullim normal i mjeteve në akset kombëtare!

Sa i përket qarkut të Shkodrës, edhe pse ka patur një tërheqje të ujërave me 80 hektarë, ende janë 1320 hektarë tokë nën ujë dhe 15 banesa të përmbytura në fshatin Obot. Ujësjellësi Oblika 1 vijon të jetë jashtë funksionit.

Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit. Në NJAD Temal e Shllak mungon energjia elektrike. Situata në akse rrugore:

Aksi H.Hotit-Tamare pa probleme. Qarkullimi kryhet normal pa zinxhirë. Aksi Tamarë-Vermosh ka dëmtim te shtresave te dërrasave në urën e fshatit Bashkim në Vermosh. Aksi është i hapur në të dy korsitë e është kriposur. Aksi Bogë-Theth është i pastruar segmenti Bogë-Qafë Thore e po punohet për pastrimin e borës së ortekëve për të hapur të gjithë aksin.

Në territorin e Qarkut Lezhë nuk ka patur reshje shiu dhe situata është normalizuar, me përjashtim të  ish-kënetës së Torovicës ku ende raportohet për rreth 50 ha të përmbytura. Një tjetër sipërfaqe nën ujë prej rreth 30 hektarësh është në ish-kënetën Spiten-Tresh, në Zejmen.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se reshjet e shiut dhe të dëborës kanë pushuar dhe se qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht në të gjitha akset nacionale.

Në segmentet me prezencë dëbore, si në Qafë Thore-Theth, Tamarë-Vermosh, Ura e Zapodit-Shishtavec dhe në Korçë-Dardhë është punuar me shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat, pasi temperaturat kanë qenë të ulëta. ARRSH apelon drejtuesit e mjeteve për kujdes dhe për zbatimin e rregullave të qarkullimit.

Për sot vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme e të lagështa me origjinë jugperëndimore. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura si dhe me alternime të pakta kthjellimesh, në zonat e qendrës dhe veriut. Më pas, mot me vranësira të dendura në të gjithë territorin. Ato do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave dhe stuhive.

Në lartësinë mbi 700 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.  Në relievet e tjera malore në lindje e verilindje të vendit në lartësitë mbi 1000 metër reshje të dobëta bore. Temperaturat variojnë nga minus 2 në 12 gradë celcius.