Aktualitet

Shqipëri-Itali, komisioni i përbashkët bashkëpunimi mes dy doganave dhe Guardia di Finanza!

Shqipëria dhe Italia firmosën marrëveshje për ngritjen e Komisionit të Përbashkët Italo-Shqiptar, për bashkëpunim mes Doganave Shqiptare, Doganave Italiane dhe Guardia di Finanza.

Memorandumi do të jetë një instrument për forcimin e lidhjeve, shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e dialogut ndërmjet Administratave Doganore të Italisë dhe Shqipërisë.

Komisioni do të kryejë monitorimin e bashkëpunimit mes administratave doganore të dy vendeve dhe ndërmarrjen e nismave të përbashkëta në kuadër të përafrimit të procedurave dhe legjislacionit me standardet dhe kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian, thuhet në njoftimin e ministrisë së Financave.

Në kuadër të thellimit të këtij bashkëpunimi Ministri i Financave, z. Ervin Mete, priti sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve të Italisë, z. Roberto Alesse dhe Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza, z. Andrea De Gennaro, në kuadër të një vizite zyrtare në Tiranë.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i deritanishëm mes administratave doganore të dy vendeve dhe u theksua rëndësia e forcimit të mëtejshëm në të ardhmen.

Në mënyrë të veçantë, palët biseduan mbi lehtësimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, përputhjen e procedurave doganore me standardet e Bashkimit Europian, rritjen e mëtejshme të sigurisë ndërkufitare dhe  luftën kundër aktiviteteve të paligjshme.

Ministri Mete shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave dhe institucioneve të saj për të rritur nivelin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë dhe vlerësoi si një zhvillim pozitiv nënshkrimin e Memorandumit.