Për t’u ndjerë mirë me trupin tuaj, strategjia kryesore është të bëni gjithçka duke synuar ekuilibrin, pa iu drejtuar dietave drastike dhe stresuese apo stërvitjeve rraskapitëse. Për të vendosur menutë e balancuara në tryezë, mjafton të imagjinoni çdo vakt të ditës si një pjatë të ndarë në disa pjesë që do të mbushet gjysma me fruta dhe perime, një çerek me drithëra dhe derivate integrale dhe një çerek tjetër me proteina, duke alternuar ato me origjinë shtazore me ato vegjetale si bishtajoret dhe gjithmonë siguroni një kuotë yndyrash të mira, si fruta të thata, arra dhe fara.
Në krye të listës së shëndetshme është vaji i ullirit. Edhe pse një lugë jep afërsisht 90 kalori dhe për këtë arsye është më mirë të mos e teproni në sasi, krahasuar me salcat dhe vajrat e tjerë bimorë, ai është shumë i pasur me antioksidantë duke përfshirë vitaminën E dhe polifenole, me veti të shkëlqyera për shëndetin e përgjithshëm të trupit.
Ju jep ngopje për shkak të pranisë së acideve yndyrore esenciale të mira, duke përfshirë oleik, oleokantal, alfalinoleik dhe stearik, të cilët ngadalësojnë zbrazjen e stomakut dhe janë të çmuar për ekuilibrin hormonal. Kur jeni vazhdimisht të stresuar, trupi prodhon nivele më të larta të hormoneve si kortizoli dhe adrenalina, të cilat përfaqësojnë një faktor rreziku për shtimin e peshës. Sasia dhe cilësia e gjumit gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e kilogramëve të tepërt. Kur flini pak dhe keq, trupi prodhon sasi më të mëdha të hormoneve që nxisin urinë dhe përkeqësojnë ndjenjën e ngopjes, duke na shtyrë të konsumojmë sasi më të mëdha ushqimi.
Mungesa e vitaminës D, të cilën trupi e sintetizon falë ekspozimit ndaj dritës së diellit, është e lidhur me mbipeshën dhe obezitetin në disa studime. Për më tepër, ekspozimi në diell, ndoshta duke bërë një shëtitje gjysmë ore, është një ilaç i shkëlqyer për të luftuar humorin e keq dhe mërzinë, të cilat shpesh ushqejnë dëshirën për ushqim jashtë vakti.