Tech

Spotify nënshkruan marrëveshje milionëshe me komedianin Joe Rogan!

Spotify ka njoftuar për një marrëveshje të re shumëvjeçare me komedianin Joe Rogan, në një përpjekje për të shfrytëzuar popullaritetin e shfaqjes së tij për të rritur të ardhurat nga reklamat. Marrëveshja shumëvjeçare e cila thuhet se kap vlerën e 250 milionë dollarëve, përfshin një garanci minimale paraprake dhe një marrëveshje tjetër për ndarjen e të ardhurave nga shitjet e reklamave.

Podcasti Joe Rogan Experience, i cili debutoi në vitin 2009, ka qenë një ofertë ekskluzive në platformën e transmetimit të muzikës që nga viti 2020 dhe njihet si podcasti më i dëgjuar në botë. Gjithashtu, Spotify tha se së shpejti do ta bëjë shfaqjen e Rogan të disponueshme në platforma tjera si Apple, Amazon dhe Youtube. Spotify së pari shtoi podcastet në platformën e saj në vitin 2015 duke blerë Gimlet Media dhe Anchor FM dhe duke nënshkruar marrëveshje me Kim Kardashian dhe ish-presidentin amerikan Barack Obama.

Rikujtojmë, se Spotify njoftoi së fundmi se në përpjekje për të ulur kostot, do të pushonte nga puna 17% të fuqisë punëtore, ose rreth 1500 punonjës. Në një shënim mbi ndryshimet organizative të publikuar në faqen e internetit të Spotify, CEO Daniel Ek shkroi se duhej të merrte një vendim të vështirë sepse rritja ekonomike është ngadalësuar në mënyrë drastike dhe kapitali është rritur në çmim.

“Për të lidhur Spotify me qëllimet tona të ardhshme dhe për t’u siguruar që kemi madhësinë e duhur për sfidat përpara, kam marrë vendimin e vështirë për të reduktuar numrin total të punonjësve me rreth 17 për qind në të gjithë kompaninë,”-shkroi Ek. Ai shtoi se e kupton se si vendimi do të ndikojë në shumë individë që kanë kontribuar shumë në kompaninë, e cila aktualisht ka rreth 9000 punëtorë.