Health & Beauty Lifestyle

Stresi në punë po rrit rrezikun për sëmundjet kardiovaskulare!

Nëse kohët e fundit jeni përballur më shumë me stresin në punë, dijeni se nuk jeni të vetmit. Megjithatë, ka një lajm të keq. Një studim i ri paralajmëron se stresi i punës dhe shqetësimet për paratë mund të rrisin rrezikun për të pasur një goditje në tru ose atak në zemër deri në 30 për qind.

Nga një sondazh ndërkombëtar prej më shumë se 100.000 njerëzve, studiuesit në Suedi kanë lidhur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare me nivelet e larta të stresit. Ekspertët nuk mund të shpjegojnë përfundimisht lidhjen që kanë gjetur, apo edhe nëse nivelet e larta të stresit janë shkaku i sëmundjeve kardiovaskulare.

Megjithatë, studimet e mëparshme tashmë sugjerojnë se nivelet e larta të kortizolit nga stresi afatgjatë mund të rrisin kolesterolin në gjak, trigliceridet, sheqerin në gjak dhe presionin e gjakut. Rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare rritet me ndjenjat e perceptuara të stresit, problemeve financiare dhe ngjarjeve negative të jetës, thonë ekspertët e Universitetit të Goteborgut. Autorja e studimit, Annika Rosengren, njëkohësisht edhe një profesoreshë e mjeksisë në Universitetin e Goteborgut, tha  se:

Nuk dihet saktësisht se çfarë e shkakton rritjen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare tek njerëzit me stres të rëndë. Por shumë procese të ndryshme në trup, si arteroskleroza dhe mpiksja e gjakut, mund të ndikohen nga stresi. Nëse duam të zvogëlojmë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare globalisht, duhet ta konsiderojmë stresin si një tjetër faktor rreziku të modifikueshëm.

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku numër një i vdekjeve në nivel global, duke marrë rreth 17.9 milionë jetë çdo vit. Pjesëmarrësit në studim, burra dhe gra, ishin të moshës 35 deri në 70 vjeç. Fillimisht, atyre iu bënë pyetje rreth stresit të perceptuar në vitin e kaluar, të vlerësuara në një shkallë nga zero (pa stres) në tre (stres i rëndë).

Nga pjesëmarrësit, 7.3 për qind u zbulua se i ishin nënshtruar stresit të rëndë, 18.4 për qind ndaj stresit të moderuar, 29.4 për qind ndaj stresit të ulët dhe 44 për qind pa stres. Ata që ishin nën stres të rëndë ishin pak më të rinj, më shpesh të karakterizuar nga faktorë rreziku si duhani ose obeziteti abdominal dhe më shpesh në vendet me të ardhura të larta.

Për pjesëmarrësit me stres të lartë, rreziku i ndonjë forme të ngjarjeve kardiovaskulare u rrit me 22 për qind, ataku në zemër me 24 për qind dhe goditjet në tru 30 për qind. Disa studime kanë shqyrtuar tashmë lidhjen midis stresit dhe çështjeve kardiovaskulare – një studim i publikuar në fillim të këtij viti zbuloi se një nivel i ngritur i hormoneve të stresit lidhet me rrezikun më të lartë të presionit të lartë të gjakut dhe ngjarjeve kardiovaskulare.