Aktualitet

Sulltan Novruzi, mesazhi i Baba Mondit: Të mbjellim paqe, dashuri e mirësi!

Ndërsa besimtarët bektashianë sot festojnë Ditën e Sulltan Novruzit, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, solli në vëmendje shenjtin e madh, Imam Aliun.

Sot është dita e lindjes së Imam Aliut, e ringjalljes shpirtërore për një të ardhme më të mirë. Uroj që Sulltan Novruzi, kjo ditë e re, të sjellë mbarësi e bekime nga Zoti për të gjithë ju dhe familjet tuaja. Në këtë ditë të veçantë, uroj ta doni më shumë njëri-tjetrin, të bëni mirë e të përparoni duke pasur dashamirësinë në zemrat tuaja. Secili duhet të njohë veten, ta mundë egon dhe urrejtjen e të mbjellë paqe, dashuri e mirësi!

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, porositi:

Duajeni atdheun, ashtu si jepni kontributin dhe integritetin tuaj në dheun tuaj. Kjo është pasuria për të cilën ka nevojë Shqipëria. S’ka pasuri si arsimi, s’ka varfëri më të madhe se injoranca.

Një urim edhe me rastin e Muajit të Ramazanit, ku besimtarët agjërojnë:

Në këtë Muaj të Madhërishëm Ramazani, ju uroj dashuri, paqe e mirësi!

Festa e Sulltan Novruzit shënon fillimin e vitit të ri sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Në mbarë botën, njihet si Dita Aleviane, dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe.

Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për të gjithë njerëzimin. Eshtë një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e bektashizmit, u dekretua si kombëtare në vitin 1996. Në vendin tonë, sekti i bektashinjve është kryesisht i vendosur në jug të vendit, ndërsa ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Edhe politika uroi festën me mesazhe nga drejtuesit më të lartë të vendit, ndërsa në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau pamje nga Kurora e Malit Sevaster në Selenicë.

Në këtë ditë të shenjtë, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër sjell në vëmendje veprën bamirëse të Rexhep Tarcuk Bala, i njohur si Dervish Luzha, i cili lindi në Luzhë 120 vite më parë, ndërsa u bë i njohur për aftësitë në shërimin e sëmundjeve apo largimin e shqetësimeve, duke u parë nga i gjithë komuniteti si shenjti i veriut.

Kurrë nuk jetoi në shtëpinë e tij, sepse i hapte derën çdo shtëpi e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës, madje kishte përcaktuar vetë vendin ku do të varrosej, aty ku sot ngrihet tyrbja. Që nga ajo kohë, shumë njerëz shkojnë aty çdo ditë, pasi besojnë tek fuqia mbinatyrore e vendit.

Pa dallim statusi ekonomik, profesioni apo besimi, pelegrinët nuk janë vetëm nga Tropoja, por nga e gjithë Shqipëria. Sipas ritualit, në vendin e mirë nuk mund të futesh kur ke pirë alkool apo i pa ngrënë. Sot, kuriozë dhe besimtarë, vizitojnë këtë vend të mirë, për të rimarrë besimin e humbur.

Tyrbja e Dervish Luzhës, Tropojë, mban statusin Monument Kulture i Kategorisë I, shpallur nga Ministria e Kulturës në vitin 2011.