Aktualitet

“Sundimi i ligjit”, 116 në pranga për organizim të lojërave të fatit!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku deklaroi sot se 116 shtetas u arrestuan në flagrancë dhe 89 u proceduan në gjendje të lirë në kuadër të megaoperacionit kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në një konferencë për shtyp, Rrumbullaku njoftoi se aksioni u nda në dy faza me shtrirje kohore nga data 25 nëntor e deri në mbrëmjen e djeshme.

Gjatë 2 fazave të këtij operacioni, u kontrolluan 1078 lokale dhe ambiente të tjera, në të cilat dyshohej se organizoheshin lojëra fati, nga të cilat në 253 u konstatuan paligjshmëri në këtë fushë, dhe gjithashtu u kontrolluan 1895 shtetas.

Si rezultat i këtyre kontrolleve u evidentuan dhe u goditën 181 raste, për të cilat u proceduan penalisht 210 shtetas, nga të cilët: 116 shtetas u arrestuan në flagrancë, 89 shtetas u proceduan në gjendje të lirë, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë. Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, janë arrestuar 102 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 68 të tjerë.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan: 4 tavolina për lojen Poker, me valixhe me çipsa dhe me letra bixhozi, 184 celularë, 25 njesi kompjuterike, zara, 174 000 lekë, 20 434 euro dhe 11 360 paund që i shërbenin lojërave të fatit, si dhe sasi cannabisi, municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1 automjet.

Në bashkëpunim me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale, dhe të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Megaoperacionet dhe operacionet e njëpasnjëshme, të zhvilluara së fundi, nga Policia e Shtetit, si rezultat i të cilave janë sekuestruar qindra armë zjarri, lëndë narkotike (heroinë, kokainë, cannabis dhe droga sintetike) dhe municion luftarak, si dhe janë goditur tentativa për trafikim të drogave dhe armëve dhe raste të kontrabandës së mallrave, përballimi me sukses i sezonit turistik, goditja intensive ndaj kultivimit të cannabis sativës, Paketa për Sigurinë në Shkolla, plani operacional “Filizat”, për kontrolle në kopshte dhe çerdhe, kanë rritur më shumë parametrat e sigurisë në vend dhe kanë përmirësuar imazhin e Policisë, te qytetarët dhe te partnerët ndërkombëtarë.

Përzgjedhja e Policisë së Shtetit, në garën me 64 agjenci të tjera policore ndërkombëtare, si partneri më i mirë ndërkombëtar i homologëve britanikë, nderimi me titullin “Ekselenca 2023”, çmimet dhe vlerësimet e tjera të shumta për Policinë e Shtetit, nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë rritjen e profesionalizmit, angazhimit dhe përkushtimit të Policisë së Shtetit, por mbi të gjitha, dëshmojnë se Policia e Shtetit është tashmë një partnere e besueshme dhe e barabartë me policitë e vendeve euroatlantike.

Policia e Shtetit është e vendosur për të çuar më tej procesin e vetëpastrimit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, me qëllim krijimin e një trupe policore me integritet të lartë moral dhe profesional, e cila do të sjellë rritje të besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit dhe rrjedhimisht rezultate më të mira për parandalimin dhe goditjen e krimit.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, në funksion të goditjes së krimit të organizuar dhe terrorizmit.