Celebrities Showbiz

“Të digjen të gjallë fëmijët nuk arsyetohet…”/Dua Lipa kërkon të ndalen sulmet në Gaza!

Ylli i muzikës pop Dua Lipa, ishte një nga shumë artistet që nënshkroi një letër të hapur duke i kërkuar presidentit Joe Biden të bënte thirrje për një armëpushim në Gaza. Këngëtarja shpjegoi qëndrimin e saj politik në ‘Rolling Stone’ në shkurt dhe së fundmi ka postuar një mesazh në Instagram për t’i dhënë fund gjenocidit të vazhdueshëm të popullit palestinez nga Izraeli.

“Të digjen të gjallë fëmijët nuk mund të arsyetohet asnjëherë! E gjithë bota po mobilizohet për të ndaluar gjenocidin e Izraelit. Ju lutemi tregoni solidaritetin tuaj me Gazën”-theksoi Dua. Ky post vjen pasi Izraeli intensifikoi operacionet ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Sulmet e fundit të bombardimeve dhe sulmeve ajrore të Izraelit kanë vrarë të paktën 37 persona. Që nga tetori, mbi 36 mijë palestinezë janë vrarë.

Sulmi i Izraelit në Rafah, i nisur më 6 maj, shtyu më shumë se 1 milion persona të largoheshin nga qyteti, referuar shifrave nga agjencia e Kombeve të Bashkuara që ndihmon refugjatët palestinezë. Shumica e tyre është zhvendosur disa herë për shkak të luftës mes Izraelit e Hamasit e që nisi pothuajse tetë muaj më parë.

Sulmet e ditëve të fundit kanë goditur zona në perëndim të Rafahut, aty ku ushtria izraelite nuk ka urdhëruar civilët që të evakuohen. Trupat tokësore izraelite dhe tanket janë duke operuar në lindje të Rafahut, në pjesët qendrore të qytetit dhe përgjatë kufirit Gaza-Egjipit. Granatat e mbrëmjes të hënën e në orët e para të ditës martës në perëndim të Rafahut vranë të paktën 16 persona.

Shtatë nga të vrarët ishin në tenda, rreth 200 metra nga vendi i sulmit të dielën e kaluar. SHBA-të dhe aleatët e tjerë të Izraelit kanë paralajmëruar kundër një ofensive në shkallë të plotë në këtë qytet. Një ofensivë të tillë, Shtetet e Bashkuara e quajnë si “vijë të kuqe”, duke thënë se do të bënte që Uashingtoni të ndalte furnizimin me armë sulmuese për Izraelin.