Aktualitet

Të drejtat e autorit, KLSH: Kuadri ligjor të rishikohet!

Një auditim performance i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi tematikën e të drejtave të autorit ka nxjerrë në pah se kuadri ligjor është i parifreskuar, teksa masat për shkelësit duhet  të rishikohen.

Sipas audituesve, institucionet shtetërore dhe organizatat joqeveritare, duhet të rrisin më shumë bashkëveprimin për mbrojtjen, promovimin dhe garantimin e së drejtës së autorit nëpërmjet, forcimit të legjislacionit, harmonizimit të praktikave më të mira ndërkombëtare dhe marrjen e masave ligjore, nëse vepra e tij kopjohet, përdoret pa leje, ose shkelet ndonjë aspekt tjetër.

E drejta e autorit në vendin tonë, vijon të ketë paqartësi ligjore në kuadrin rregullator ekzistues të cilat kanë sjellë objektiva pjesërisht të realizuara.

Përafrimi i vonuar me direktivat e BE – së, mungesa e një strategjie të dedikuar, mungesa e marrëveshjeve dhe koordinimit ndërinstitucional, kanë shkaktuar mbivendosje kompetencash midis institucioneve përgjegjëse, lidhur me administrimin, monitorimin/inspektimin, tejkalimin e kostove të administrimit të Agjencive të Administrimit Kolektiv të të Drejtave, në raport me nivelin e shpërndarjeve të shpërblimeve tek mbajtësit e të drejtave të autorit.

Mosrespektimi i detyrimeve të licencave të Agjencive të Administrimit Kolektiv, mungesa e transparencës dhe besueshmërisë ndërmjet autorëve dhe agjencive, mungesa e gjurmimit dhe evidentimit të përdoruesve të veprave, nuk garantojnë administrim korrekt dhe mbrojtje efektive të së drejtës së autorit” thuhet në mesazhin e auditimit të KLSH.

Duke u ndalur në çështje më specifike raporti i auditimit nënvizon se legjislacioni aktual për të drejtën e autorit krijon kushte për mbivendosje kompetencash, lidhur me monitorimin/ inspektimin dhe zbatimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura me to sepse nga institucionet përgjegjëse nuk janë propozuar ndryshimet e nevojshme ligjore mbi procedurat e mbikëqyrjes së tregut për inspektimet ex-officio (në terren), inspektimet për tregtimin on line, procedurat e bllokimit dhe shkatërrimit të mallrave pirate dhe të falsifikuara, koordinimin ndërinstitucional duke rinovuar marrëveshjet e bashkëpunimit, ku të përcaktohen fushat e përgjegjësisë dhe të kompetencave përkatëse.

I njëjti nënvizon që është konstatuar se, që nga viti 2017, nuk ka një marrëveshje gjithëpërfshirëse të përditësuar, midis shoqatave të përdoruesve dhe agjencive të administrimit kolektiv të të drejtave të autorit.

Procesi i negocimit për arritjen e saj ka dështuar, dhe nuk ka asnjë kërkesë nga aktorët e legjitimuar, pranë Këshillit Kombëtar për të Drejtën Autorit, për rishikimin e metodologjisë dhe masës së shpërblimit të tarifave për mbajtësit e të drejtave. Kuadri ligjor aktual, nuk ofron asnjë mekanizëm për zgjidhjen e këtij ngërçi.

KLSH ka rekomanduar që ministria përgjegjëse të krijojë një grup pune për rishikimin e dokumenteve politikë si dhe vlerësimin e mundësisë së hartimit të një strategjie të dedikuar për të drejtën e autorit, sipas ligjit që e sanksionon këtë të drejtë.

Po kështu të propozojë, rishikimin e akteve nënligjore lidhur me mënyrën e funksionimit, të organizimit dhe të shpërblimit të Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit, si dhe krijimin e një mekanizmi për ndërhyrjen e tij në procesin e rishikimit të metodologjisë dhe masës së tarifave të shpërblimit.

Rekomandohet gjithashtu që të merren masa nga ministria në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Autoritetin e Mediave Audiovizive, për ndryshimet ligjore në shmangien e mbivendosjes së kompetencave sipas fushave të përgjegjësisë, si dhe të rishikojnë/nënshkruajnë marrëveshjet e bashkëpunimit, lidhur me garantimin e mbrojtjes të së drejtës së autorit./Monitor