Aktualitet Travel

“The Bolton News” sugjeron “Kroacinë e ardhshme”, Shqipërinë/Miqësore me buxhetin!

“Të shkosh me pushime është emocionuese, por gjithashtu mund të jetë e kushtueshme”, shkruan Katie Collier në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Bolton News”. Me shtimin e sugjerimeve për vendet ideale për pushimet e verës e që përmbushin edhe kushtin e rëndësishëm për të mos rënduar xhepat e pushuesve, autorja ka ndërmend Shqipërinë, si vend miqësor me buxhetin.

“Destinacioni i ri mesdhetar ende nuk është prekur nga rritja e çmimeve si në Dubrovnik të Kroacisë dhe mbetet një nga vendet më të përballueshme për t’u vizituar në Europë”, citohet ndër të tjera në shkrimin e Katie Collier-it.

Për t’ju ndihmuar që të vendosni në lidhje me destinacionin tuaj të ardhshëm, Aeroporti i Mançesterit ka renditur nëntë vendet më të lira për të kaluar pushime të paharruara. Nga Shqipëria në Poloni, ekzistojnë shumë opsione, me fluturime të disponueshme nga shumë linja ajrore.

Një studim i fundit i Komisionit Europian të Udhëtimeve tregoi se pothuajse tre të katërtat e britanikëve po planifikojnë që të udhëtojnë për pushime në gjashtë muajt e ardhshëm, pavarësisht presioneve të vazhdueshme financiare të krizës së lidhur me koston e jetesës.

Shqipëria është renditur mes nëntë destinacioneve më të mira për pushime dhe miqësore me buxhetin. Të dhënat e çmimeve për destinacionet janë marrë nga “Numbeo” – Indeksi i Kostos së Jetesës.

Shqipëria

Çmimet:

Ushqimi në restorant, zakonisht kushton rreth 6 euro për person

Një krikëll birrë – 1 euro

E konsideruar si “Kroacia e ardhshme”, Shqipëria ndan të njëjtat brigje të Adriatikut dhe gëzon disa nga të njëjtat cilësi tërheqëse për pushuesit, duke përfshirë plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat bruz me male e gjithashtu shkëmbinj mahnitës.

Destinacioni i ri mesdhetar ende nuk është prekur nga rritja e çmimeve si në Dubrovnik të Kroacisë dhe mbetet një nga vendet më të përballueshme për t’u vizituar në Europë.

Vendpushimet e plazheve të Sarandës e të Ksamilit janë ndër më të njohurat. Ato gjenden më shumë se 170 milje larg nga kryeqyteti, Tirana, i cili ofron fluturime nga Mançesteri.

Saranda dhe Ksamili janë vetëm gjysmë ore larg me traget nga ishulli grek i Korfuzit, i cili gjithashtu ka fluturime direkte nga Mançesteri.