Aktualitet

Transmetimet pirate të Premier League në Kosovë/DigitAlb kërkon ndërhyrjen e Entit Rregullator të Medias Audiovizuale!

Transmetimet pirate të Premier League në Kosovë, kërkohet ndërhyrja e Komisionit të Pavarur të Mediave, institucion që mori ankesë nga subjekti “The Football Assocation Premier League Limited”. Kjo lidhur me piratimin e të drejtave të transmetimit të këtij eventi sportiv në Kosovë nga operatorët e shërbimit audiovizual “ArtMotion”, në pronësi të vëllezërve Devolli, “IPKO Telecommunications” e “KUJTESA”.

Zëvendësi i Shefit Ekzekutiv të KPM-së, Faruk Rexhaj konfirmoi se janë pranuar disa ankesa për transmetimin e Premier League në territorin e Kosovës. Fillimisht, ankesa u bë nga Premier League e më pas nga DigitAlb, i vetmi subjekt që gëzon të drejtën ekskluzive të transmetimit të Premier League, në Shqipëri e Kosovë me koment shqip.

Dikush nga stafi i zyrës së monitorimit do të dalë dhe do të monitorojë nga afër të gjithë kanalet sportive. A po transmetohen ndeshjet e Premier League apo jo dhe mandej të shohim sa i janë përmbajtur ankesës, të cilën e kanë pranuar.

Të gjithë operatorët e medias audiovizuale në Kosovë që transmetojnë në gjuhën serbe ndeshjet e Premier League, nuk kanë të drejtë transmetimi për këtë event sportiv, pasi nuk kanë asnjë marrëveshje tregtare për blerjen e këtyre të drejtave nga subjekti “The Football Assocation Premier League Limited”, apo nga operatori ArenaSport/Telekom Serbija.

Shoqëria “DigitAlb” sh.a. është operatori që gëzon të drejtat ekskluzive të transmetimit me koment në gjuhën shqipe dhe të distribucionit për territoret e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës të eventit sportiv të futbollit Premier League. Ky event transmetohet direkt nga kanalet televizive të platformës DigitAlb, konkretisht kanalet tematike sportive “SuperSport”, me koment në gjuhën shqipe.

Zyrtarisht, “The Football Assocation Premier League Limited” i kërkoi operatorëve të medias audiovizive në Kosovë që menjëherë të ndërpresin transmetimin e paligjshëm të Premierë Ligës me koment në serbisht. Por, piratimi vazhdoi, kur të tilla transmetime dëmtojnë rëndë interesat e ligjshme ekonomike dhe tregtare të DigitAlb-it. Gjithashtu, shkelin hapur pavarësinë e Kosovës e shumicës dërrmuese të qytetarëve atje i mohojnë të shikojnë dhe të dëgjojnë ndeshjet e Premier Ligës, me koment shqip.

“The Football Assocation Premier League Limited” është detyruar t’i drejtohet Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), si enti i vetëm rregullator i medias audiovizuale në Kosovë, për të marrë të gjitha masat për të ndërprerë këtë pirateri.

Madje, në këtë nismë për të mbrojtur të drejtat e transmetimit të Premier League në territorin e Republikës së Kosovës, “The Football Assocation Premier League Limited” ka vënë në dijeni Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari.