Pandemia Covid dhe bllokimet e saj kanë bërë që truri i adoleshentëve të plaket para kohe, duke ndryshuar strukturën e tyre. Kjo tashmë është vërtetuar nga disa studime, por puna e re e shkencëtarëve në Universitetin e Uashingtonit në Seattle tani na tregon se kjo plakje ndodh me shpejtësi të dyfishtë tek vajzat.
Ndërsa truri zhvillohet, korteksi cerebral, shtresa e tij më e jashtme, hollohet. Traumat e fëmijërisë si braktisja, abuzimi dhe neglizhenca e përshpejtojnë këtë proces, duke bërë që truri të plaket më shpejt dhe duke e predispozuar për një rrezik më të madh të çrregullimeve mendore. Për studimin e ri, neuroshkencëtarja e imazherisë mjekësore Neva Corrigan krahasoi skanimet e trurit të adoleshentëve të bëra para dhe pas sezonit më të vështirë të pandemisë.
Në vitin 2018, studiuesja dhe ekipi i saj kishin mbledhur skanime të trurit të adoleshentëve të moshës 9, 11, 13, 15 dhe 17 vjeç dhe i përdorën ato për të modeluar ndryshimet në korteks midis moshës 9 dhe 17 vjeç. Në vitin 2021, ekipi mori skanime të trurit të një popullate të veçantë adoleshentesh, të gjithë nga zona e Seattle dhe me prejardhje të ngjashme socio-ekonomike, të moshës 12, 14 dhe 16 vjeç.
Truri i adoleshentëve plaket më shpejt gjatë pandemisë, por truri i vajzave plaket me një ritëm të rritur. Hollimi kortikal u shfaq i barabartë me katër vjet plakje, krahasuar me dy vjet në trurin e adoleshentëve meshkuj. Për më tepër, një reduktim në trashësinë e korteksit u vu re në 35 rajone të trurit tek vajzat, krahasuar me vetëm tre te djemtë. Tek vajzat, fushat më të përfshira në proces ishin mbi të gjitha ato përgjegjëse për analizimin e informacionit vizual, veçanërisht fytyrat. Corrigan shprehet:
Gratë mbështeten shumë më tepër në rrjetin e tyre social për të ndërtuar identitetin personal dhe për mbështetje emocionale. Mund të ndodhë që gjatë pandemisë, izolimi të ketë pasur një efekt më të dëmshëm në trurin e femrës, thjesht sepse gratë janë më të prirura për marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, kaq thelbësore për zhvillimin e trurit të tyre.
Prandaj, stresi i pandemisë duket se ka pasur edhe një efekt neurologjik në zhvillimin e trurit të fëmijëve, efektet e të cilit në aspektin e shëndetit mendor tani kanë filluar të shfaqen në mënyrë shpërthyese.