Aktualitet

U mor në pyetje për rreth 4 orë në SPAK, ish-këshilltari i Ilir Metës flet pas daljes nga Prokuroria e Posaçme!

Pas rreth katër orësh, ish-këshilltari i Ilir Metës, Ralf Gjoni ka dalë nga zyra e SPAK.

Para gazetarëve ai nuk ka dhënë detaje se për çfarë është pyetur duke thënë se është vetë avokat, dhe  e di mirë se nuk duhet të flasë në lidhje me atë që ka dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme.

Gjoni refuzoi të jepte shpjegime, duke u përgjigjur shkurtimisht se u thirr në Prokurorinë e Posaçme jo si një person nën hetim, por në cilësinë e personit të angazhuar në pozicione shtetërore.

“Për disa funksione mund të them, në cilësinë e të angazhuarit në angazhime dhe pozicione shtetërore. Jo si person nën hetim. Nuk ka ndonjë arsye për të më hetuar mua”, tha ai.

Kanë lidhje me dosjet e ish-Presidentit Meta?

Ralf Gjoni: Jo nuk kam qenë pjesë e dosjes së tij sepse nuk kam qenë në kontakt me Metën në kohën e Presidencës.

Bëhet fjalë për një periudhë inaktive timen ajo që i referoheni juve.

Nuk nxjerr asnjë detaj tjetër. Për angazhimet e mia në vite dhe nuk mundem t’i diskutoj.

Do vini sërish në SPAK nëse thërriteni?

Ralf Gjoni: Jo nuk besoj

Mediat raportojnë se Ralf Gjoni, është thirrur në SPAK lidhur me lobimin që ka bërë kjo forcë politike në SHBA gjatë kohës që ka qenë në qeverisje së bashku me Partinë Socialiste.

Gjoni është parë të futet në SPAK i vetëm, pa prani të avokatit të tij.

Në vitin 2016 në media u publikuan dokumente sipas të cilave LSI ka bërë pagesa në vlerë 267,804 USD për kompaninë e saj të lobimit në Uashington, Global Security and Innovative Strategies, GSIS.

Pagesat përfshijnë tarifën mujore fikse prej 30,000 USD për kompaninë amerikane si dhe rimbursim të shpenzimeve, që kjo e fundit ka bërë gjatë përfaqësimit të interesave të liderëve të LSI-së pranë kongresit të SHBA-ve dhe administratës amerikane.