Aktualitet

Ulen çmimet, bie inflacioni! Shkon në nivelet e paraluftës dhe poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë!

Në shkurt inflacioni arriti në 2.6%, niveli më i ulët prej tre vitesh dhe poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë që synonte ta mbante në 3%.

Qytetarët kanë shpëtuar nga një valë rekord çmimesh që i shoqëronte prej dy vitesh dhe nisi me krizën e çmimeve të energjisë, e më pas me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Sipas INSTAT, për inflacionin e shkurtit kontribuoi grupi i ushqimeve dhe pijet joalkoolike, grupi i qirave, ujit dhe lëndëve djegëse, si dhe mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e shtëpisë.

Ndërkohë çmimi i naftës erdhi sërish me tkurrje, duke kontribuar në uljen e mesatares së inflacionit.

Sa i përket nënprodukteve te grupi i ushqimeve me rënie erdhën vajrat dhe yndyrnat, si dhe grupi i zarzavateve dhe frutave, të cilat njohën rritje dyshifrore nga 20-30% gjatë vitit të kaluar. Grupi i ushqimeve ishte ai që prej një viti ishte udhëheqës në çmimet e larta që përjetonin qytetarët. Ndërkohë grup produkte i pajisjeve shtëpiake po rritet me shpejtësi, si dhe grupi i hoteleve, bar-restoranteve nxitur nga ardhja e turistëve.

Ulja e inflacionit është një lajm i mirë jo vetëm për xhepat e qytetarët, por edhe për kredimarrësit, pasi sinjalizon Bankën e Shqipërisë që të mos rrisë më normën e interesit për kreditë. Sërish në vlerësimin e fundit institucioni monetar shprehet se rreziqet për një valë të dytë krize çmimesh mbeten me luftërat e reja rajonale dhe dobësimin e ekonomisë evropiane që është partneri ynë kryesor tregtar.