Aktualitet

Vdekja e kryeopozitarit rus Navalny, Rama: Tragjedia nënvizon rëndësinë e unitetit mes aleatëve!

Kryeministri Edi Rama reagoi për vdekjen në burg të liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny. Në një postim në rrjetin social X, shkruan:

Unë qëndroj me Presidentin Biden dhe liderë të tjerë aleatë për të nderuar sakrificën përfundimtare të Alexei Navalny. Kjo tragjedi nënvizon rëndësinë e unitetit dhe vendosmërisë aleate. Konferenca e Sigurisë së Mynihut është një moment i përshtatshëm për të theksuar rëndësinë e përpjekjeve kolektive, veçanërisht midis aleatëve të NATO-s.

Ne të gjithë duhet të ndajmë përgjegjësinë e mbajtjes së parimeve të NATO-s dhe ndërkohë që përballemi me sfida komplekse, ne nuk duhet të hezitojmë të shkojmë më shumë.

Angazhimi 2% është kërkesa minimale, jo maksimumi. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me partnerët tanë për të forcuar aftësitë tona mbrojtëse, duke përfshirë rigjallërimin e industrisë sonë ushtarake.

Opozitari i njohur rus dhe kundërshtari numër një i Kremlinit, Alexei Navalny, vdiq një ditë më parë në një burg të Arktikut, ku po vuante dënimin me 19 vjet heqje lirie. Sipas autoriteteve të shërbimit kombëtar të burgjeve në Rusi, 47-vjeçari u ndje keq pas një shëtitjeje dhe ndërroi jetë. Nga Kremlini nuk ka asnjë informacion mbi shkaqet e vdekjes.

Referuar mediave ruse, arsyeja mund të ketë qenë një mpiksje gjaku, një trombozë. Navalny mbahej pas hekurave prej janarit të vitit 2021. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, nuk ka dyshime mbi faktin që përgjegjës është regjimi rus. Kremlini reagoi duke i quajtur “të papranueshme” akuzat. Indinjatën nuk e fshehën as Kombet e Bashkuara që kërkojnë nga Moska zyrtare të zhvillojë një hetim të besueshëm.

Lyudmila Ivanovna Navalnaya, nëna e Alexei-t tha se nuk pret ngushëllime. Për herë të fundit e kishte takuar në fillimjavë, më 12 shkurt dhe siç u shpreh:

Ishte gjallë, i shëndetshëm, i gëzuar!

Në qeli e pati vizituar edhe avokati më 14 shkurt, dy ditë para vdekjes e gjithashtu konfirmoi se Navalny ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi:

Nuk jam i çuditur dhe në të njëjtën kohë jam i tronditur nga lajmi i vdekjes së Alexei Navalny-t. Putin është përgjegjës për vdekjen e tij.

Reagime edhe nga BE-ja. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen:

Të bashkohemi në luftën për të garantuar lirinë dhe sigurinë e atyre që guxojnë t’i kundërvihen autokracisë!