Aktualitet

Vendoret e së dielës në Kukës do të kushtojnë 25.5 milion lekë/Nuk ka votim elektronik!

Në një konferencë për mediat lidhur me zgjedhjet e pjesshme të 24 shtatorit për kryetarin e ri të Bashkisë Kukës, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi informoi se këto votime do të kushtojnë 25.5 milion lekë.

Do të kushtojnë 25 milion e 457 mijë e 496 lekë, që në fakt nuk janë para’ të kërkuara shtesë në Buxhetin e KQZ-së. Por, në një menaxhim dhe riorganizim të buxhetit që kemi bërë, pamë që nuk ishte e nevojshme për të kërkuar buxhet shtesë, pasi ka kursime nga KQZ-ja që e mundësojnë këtë proces zgjedhor.

Në një konferencë për mediat, Celibashi bëri të ditur se do të jenë 74 qendra votimi, një prej tyre në institucionin e Paraburgimit. Deri tani, 9 Qendra Votimi janë plotësuar me nga 7 anëtarë e të tjerat me nga 6.

Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor jemi në pritje të propozimeve të Partisë Demokratike për komisionerët shtesë që ka të drejtë të propozojë bazuar në këtë vendim. PD-ja ka sjellë 20 propozime e janë miratuar 9 dhe jemi në proces shqyrtimi të 11 propozimeve të tjera.

Po ashtu, Celibashi tregoi edhe se përse nuk do të realizohet votimi elektronik në Kukës, edhe pse zgjedhjet po zhvillohen vetëm në një bashki.

E para, koha nuk ishte e përshtatshme për ta përgatitur procesin. Nga pikëpamja e arsyetimit, unë mendoj që kemi eksperimentuar mjaftueshëm deri tani në një lloj mënyrë në lidhje me votimin elektronik dhe në këtë moment, zgjerimi nuk do të kishte shumë sens, pasi tej faktit që nuk kishim kohë, kjo nuk do të siguronte ndonjë avantazh. Duke mos qenë shumë i sigurt se sa vullnet ka nga partitë dhe sa janë mundësitë financiare, nuk do të kishte logjike ta shtrinim në një njësi ku më pas nuk do të zhvillohej në zgjedhjet e tjera.

Zgjedhjet vendore të 24 shtatorit në Kukës zhvillohen për të zëvendësuar Safet Gjicin, i shkarkuar në mes të qershorit, pas përfshirjes në një skandal seksual.