Film & Tv

“West Side Story”. Spielberg-u dhe Musical-ët, një tragjedi…Kritikë.

Ne nuk jemi të mësuar me Musical-ët. Është një zhanër i largët, i huaj, gati gati qesharak në sytë tanë. Ky mund të jetë ngërçi i parë kur vjen puna për të shijuar filmin më të ri që mund t’i ri-japë Oscar-in regjisorit Steven Spielberg mbas 1993 për “Listën e Shndilerit” dhe 1998 për “Shpëto Ushtarin Rajan” (sipas Variety apo të tjerë media që kanë bërë parashikimet e tyre). Por mbase ky nuk është ngërçi. Sepse edhe ata të mësuar me zhanrin dhe të rrahur me vaj e me uthull me “West Side Story” dhe të ngjashmit me dekada tashmë, mendojnë se remake i Spielberg është edhe më keq se origjinali (Richard Brody, The New Yorker).

Një artist i kamur dhe i famshëm harxhon miliona dollarë (filmi ka kushtuar 100 milionë dollarë) për të ringjallur një kufomë me gjakun e disa të rinjve. Kufoma nuk është e pa jetë, është në grahmat e fundit, dhe ky infuzion gjaku nuk do të ndryshojë fatin e saj të pashmangshëm.

Ky nuk është sinopsi i një filmi të ri horror nga [studio] A24, është historia fatkeqe e përpjekjeve të Steven Spielberg për të risjellë “West Side Story” në ekranin e madh për një publik më të gjërë sesa ai i Broadway-it. Musical-i që tregon historinë e përplasjeve rracore në New York-un e viteve 1950 është i frymëzuar nga “Romeo dhe Zhuljeta” e Shekspirit. Me ndihmën e skenaristit Tony Kushner, Spielberg përpiqet të ndreqë aspektet e dyshimta të filmit të 1961, duke i ikur stereotipeve dhe ardhur në kohën e #metoo. Rezultati është një leksion socio-psikologjik duke i shtuar material që nuk i sjell veprës asgjë nga ajo që nuk e kishte më parë.

I vendosur në San Juan Hill dhe Lincoln Square në kohën kur të dyja lagjet ishin duke u shembur për t’i hapur rrugë zhvillimit të qytetit të New York-ut, “West Side Story” i 2021 hapet me një plan të gjatë sekuencë i cili të fton për një ekperiencë spielbergiane, por ftesa zgjat pak.

Njësoj si dy familjet aristokrate të Shekspirit, bandat e të bardhëve dhe Porto Rikanëve përplasen me njëra tjetrën në një betejë që mbase as dashuria nuk e ndal dot. Terreni i zhvillimit të filmit edhe pse në dukje i madh, është i tkurrur. Kur dikur kishte vend për të dyja palët, tani ka vend vetëm për një. (Shkon pa u thënë për shembull se San Juan Hill, ka qënë, në fakt, një lagje me shumicë afro-amerikane). Përpjekjet e Spielberg për të racionalizuar dhunën e të bardhëve në ‘WSS’ e ri, si edhe reduktimi i personazheve në motive singulare e bëjnë filmin edhe më të keq se ai i Robert Wise (Përplasja mes Jets-ve dhe Shark-ve. Të parët nuk mbronin vetëm interesat e tyre, ishin gangsterrë bullizues që ngacmonin edhe fëmijë të rracës së tyre).

Toni (personazhi kryesor), i shmanget dhunës, sepse ka një punë dhe do të ndërtojë një të ardhme më të mirë sesa ajo që e pret nëse do ishte thjesht pjesë e bandës së gangsterrëve Jets. Ai nuk ka një eksperiencë madhore që ta shkundë për t’ju larguar jetës së bandave. Të paktën kështu ishte në historinë orgjinale. Toni i Spielberg ka një arsyetim pse i la bandat. Sepse ai për pak sa vrau dikë, dhe si i liruar me kusht mbas një viti në burg, nuk do të rrezikojë lirinë e tij. A e bën kjo Tonin e ri më të mirë se të vjetrin, pra pasja e kësaj historie të thjeshtë arsyetimi a na bën ne ta justifikojmë Tonin më shumë?! Besoj se jo.

Jeta e Marias (protagonistes tjetër) është ndërkaq më e mbushur. Ndryshe nga ajo e vitit ’61 që tregon se arsyeja e saj ardhjes në NYC ishte për një martesë me shkuesi me Chino-n, kjo e ’21 ka vite në qytet, duke u kujdesur për të atin, me një dëshirë për të shkuar në universitet. Chino, një personazh ambig i filmit të parë, ka një linjë më të plotë në këtë film. Bernardo (vëllai i Marias) është një boksier në fillim të karrierës. Por pavarësisht historive të tyre të sfondit, ata nuk kanë jetë më të pasura, substancë kulturore, apo eksperienca të ndryshme nga ato të filmit të parë. Maria përcaktohet vetëm nga marrëdhënia e saj me Tonin, njësoj si në filmin e ’61. dhe kaq.

Nuk mungojnë edhe ndryshimet për mirë. Në filmin origjinal Maria punon me Anitën në një dyqan nusesh në pronësi të një portorikane, Toni shkon e takon aty dhe ata bashkë bëjnë prova me manekinët e fustaneve se si do të ishte momenti kur familjet e tyre do takoheshin. Në të riun Maria punon si mirëmbajtëse e turnit të natës duke i ikur skenës së paevitueshme të dasmës në dyqanin e fustaneve të nuseve, dhe duke shtuar nota më të bukura të ndërlidhjes së tyre kozmike. Sepse fati është i shkruar në yje.

Castingu dhe regjia e Spielberg janë kundërthënëse me njëra-tjetrën. Natalie Wood është zëvendësuar nga Rachel Zegler (e cila e ka rrefuzuar gjatë rolin përpara se ta pranonte), një aktore me mama Kolumbiane. Edhe pse ajo ndryshe nga Wood këndon vetë këngët (Natalie Wood është dubluar gjatë këngëve nga Marni Nixon), me një zë të fuqishëm dhe delikat, ajo drejtohet nga Spielberg si një princeshë e filmave të Disney-t. Tony luhet nga Ansel Elgort, 7 vjet më i ri se mosha e personazhit që interpreton. Përpos shprehive të syve të tij, kimia mes tij dhe Zegler është zero. Edhe pse kimia mes Wood dhe Richard Beymer (Toni origjinal) nuk ishte ndër më të mirat, edhe pse Robert Wise e Jerome Robbins nuk ishin ndër regjisorët më vizionarë të Hollywood-it, prapë takimi i parë i Tony-t dhe Maria-s në ballon e shkollë është një nga momentet më të paharrueshme dhe erotike të kinemasë amerikane. Në ri-bërjen e Spielberg, ajo skenë domethënëse nuk ka asgjë që të veçosh. Analiza mund të jetë e nostalgjikëve që janë të lidhur me filmin origjinal, por kur i futesh diçkaje për ta bërë më mirë, jo gjithmonë ja del. Të dy filmat kanë një vlerësim me 7.6/10 në IMBD.

Dështimi i Spielberg në përpjekjen e tij është fakti që ndryshe nga filmi i 1961, i cili lë hapësira për interpretim, nuk ka vend për përgjigje të lehta në jetën e atyre të rinjve në kohën kur vendoset ngjarja, nuk lë asgjë të hapur, nuk ka ambiguitete, ekstravaganca, ekstremitete duke e zhveshur veprën nga aftësia e saj për t’u interpretuar ndryshe nga shikuesi i çdo lloji.

Historia e “West Side Story” është më e komplikuar se paaftësia e Spielberg për ta lartësuar atë. Kur Leonard Bernstein, Arthur Laurents, Jerome Robbins dhe më vonë Stephen Sondheim (të gjithë me origjine hebre) donin të shkruanin një shfaqje për përplasjet e bandave hebreje dhe atyre irlandeze, por që të mos binin pre e një klisheje, ndruan kombësitë e të përplasurve, duke qënë sipërfaqësorë në skenarin e tyre i cili ka gropa që në kaq shumë vite nuk janë mbushur dot, pavarësisht suksesit të saj.

Spielberg nuk pati as guximin as njohurinë për ta imagjinuar “West Side Story”-in e 2021. Është më keq se ai e 1961… E të mendosh që kanë kaluar 60 vjet…