Aktualitet

“Xibraka”, Bardhi në SPAK: Prokuroria ta hetojë!

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, sot në ora 10:00 u paraqit në mjediset e SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nga prokurorët specialë, mësohet se Bardhi u thirr në lidhje me hetimin e nisur nga organi i posaçëm i akuzës për dosjen “Xibraka”. Siç dihet, deputeti demokrat ka akuzuar Ols Ramën, vëllanë e kryeministrit Edi Rama, si të përfshirë. Në anën tjetër, kujtojmë se Ols Rama ka depozituar dy kallëzime në ngarkim të Bardhit për akuzën e shpifjes.

Gazment Bardhi u shpreh:

Siç jeni në dijeni, në datën 29 mars,  nga selia e Partisë Demokratike, unë kam denoncuar publikisht mbi dyshimin e përfshirjes së vëllait të kryeministrit Rama, Ols Rama në çështjen  “Xibraka”. E kam dorëzuar zyrtarisht pranë SPAK-ut kallëzimin. Jam informuar nga drejtuesi i SPAK-ut, por dhe nga drejtuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, që pas informacionit të dorëzuar nga ana ime, dosja e Xibrakës është rihapur dhe kanë rinisur hetimet për identifikimin e personave, që në dosje ishin etiketuar si të paidentifikuar. Sot kam përsëritur e konfirmuar të dhënat dhe faktet që kam patur unë.

Seanca kishte vetëm një pyetje, nëse kisha gjë për të shtuar. Isha në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen. Në dosjen për të cilën flasim, kallëzuese janë prokuroria dhe policia e Hanoverit. Unë kam kërkuar rihapjen e dosjes së mbyllur në vitin 2018. Persona të përfshirë, jo sipas meje, por sipas gjykatës ishin cilësuar si të paidentifikuar. Unë kërkova që të hetohet dhe të identifikohen. Laboratori i Xibrakës ishte i pari laborator kokaine në Shqipëri.

Ndërkaq, në lidhje me dy kallëzimet për shpifje të Ols Ramës ndaj tij, Gazment Bardhi deklaroi se interesi i tij është vijimi i hetimeve. Bardhi ishte thirrur që të dëshmonte edhe më herët, por për shkak të angazhimeve, u vendos që të paraqitet sot, në orën 10:00.