Aktualitet

Zhvendoset në Elbasan aksioni i IKMT-së për heqjen e mjeteve të përdorura!

Po vijon edhe në aksin nga Elbasani në Qafë Thanë, aksioni për pastrimin e zhvendosjen e pikave që grumbullojnë mjete të përdorura. Ministri i Brendshëm Taulant Balla ndoqi nga afër këtë aksion, së bashku me drejtuesit e IKMT-së dhe Policisë së Elbasanit. Ata u ndalën në biznesin e një qytetari, që ushtron këtë aktivitetin në anë të rrugës Elbasan-Librazhd. Balla deklaroi:

Ligji nuk lejon vendgrumbullimin e mjeteve të përdorura, pjesë këmbimi apo mjete jashtë përdorimit, kështu që në këtë aspekt duhen marrë masa.

Pronari i biznesit tha se ishte informuar nga IKMT-ja dhe po vazhdojnë punën për zhvendosjen e mjeteve. Ndërkaq, zyrtarët vlerësuan:

Jemi në monitorim të të gjithë akseve rrugore të rëndësishme, në kuadër të masave për sezonin turistik që po afron, po largojmë mjetet e përdorura e të demoluara për skrap. Po ecim me ritme të kënaqshme, pasi dhe vetë bizneset e kanë bashkëpunimin dhe jemi mirëkuptuar me ta. Mjetet do largohen në kohë nga akset kombëtare.

Faza e parë e gjithë procesit është evidentimi e njoftimi i pronarëve të pikave dhe spostimi i mjeteve nga vetë subjektet.

Urdhër-inspektimet po vijojnë në të gjithë aksin Elbasan-Qafë Thanë, me lokalizimin dhe njoftimin e çdo subjekti, për të pastruar çdo mbetje të dukshme që qëndron në aksin kryesor e dytësor duke dëmtuar imazhin.