Aktualitet

Zonat e Mbrojtura, opozita sulmon ligjin e miratuar në Kuvend/Ministrja Kumbaro: Ndërtimet, me filtra strikte!

Deputetja demokrate Jorida Tabaku komentoi ligjin për zonat e mbrojtura që u miratua sot në Kuvend. Tabaku tha se është në shkelje të direktivave të BE-së dhe se sipas saj Brukseli po përgatit një notë proteste për vendin tonë. Tabaku shtoi se me këtë ligj që e quajti “korruptiv” do të jepen 14 vendime për investime strategjike brenda zonave të mbrojtura.

Fatkeqësisht, sot parlamenti votoi një ligj që është në shërbim të pakicës, ligj që ishte në shkelje të direktivave të BE-së. Me ligjin e miratuar për Zonat e Mbrojtura do të jepen investime strategjike, hotele me 5 yje. Nëse flasim për parlament të kapur, për mosruajtjen e balancës në parlament, ky është shembulli më i mirë. Shkelën angazhimin e konventave për mbrojtjen e mjedisit. Janë 14 vendime për investime strategjike brenda zonave të mbrojtura.

Ky është një ligj korruptiv, që tregon kapjen e shtetit. Ka 14 ligje që tregojnë kapjen e shtetit. Unë di që qeverisë shqiptare është duke iu dërguar një notë proteste, se kapitujt për Mjedisin janë ndër më të vështirët. Mos e shikoni lidhjen vetëm me mjedisin, shikojeni kryekëput korruptiv! BE-ja do të vazhdojë përpjekjet, Shqipëria është një vend sovran, por kemi një detyrim nga procesi i integrimit. Eshtë në shkelje të direktivave të BE-së dhe ligj korruptiv. Jepen leje për ndërtim në zona të mbrojtura.

Ligjin e sulmoi edhe deputetja demokrate Ina Zhupa:

Sot në seancën plenare kaloi një ligj që është shkatërrimi i zonave të mbrojtura në Shqipëri. Një ligj klientelist i bërë për oligarkë të caktuar pranë Ramës. Heq mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura, i bën ato sheshe ndërtimi ku mund të kryhen investime strategjike sipas kontratave që do të firmosin. Eshtë në kundërshtim me kapitujt që ne duhet të plotësojmë për të hapur procesin e negociatave me BE-në.  Nëse pret një pemë në pyll, dënohesh. Nëse vret një kafshë të egër, dënohesh. Por, nëse sot ti ndërton në mes të Zonave të Mbrojtura quhesh investitor strategjik.

Gazment Bardhi deklaroi:

Ligji për zonat e mbrojtura ku edhe njëherë planifikohet të gllabërohet pasuria kombëtare e shqiptarëve. Seanca vazhdoi të jetë jo një seancë normale sa kohë nuk përmbushen kërkesa e opozitës. Padyshim që do të ketë një vlerësim. Nëse ka argumente për kundërshtim në Gjykatën Kushtetuese, ne do t’i drejtohemi.

Ministrja Mirela Kumbaro hodhi poshtë akuzat e theksoi se do të ketë ndërtime strategjike, por me filtra strikte.

Janë disa linja të kuqe që nuk mund të preken. Të mos preken direktivat e BE-së. Dua të kujtoj që më 2021-shin, Shqipëria kishte 17% të territorit zonë e mbrojtur.

Nuk është kaq e lehtë që në një vend të vogël sa Shqipëria të kesh një 1/5 e territorit zona të Mbrojtura. Nuk do të preket sipërfaqja e territorit të zonave të Mbrojtura. Nuk do të ketë ndarje të territorit të zonave të mbrojtura me bashkitë do të vazhdojnë që të administrohen nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura. Duhet të ketë rregulla të qarta. Në këto territore jetojnë njerëz prej shekujsh.

Amendimet që u miratuan sot japin rrugë për rregulla shumë të qarta. Pjesa tjetër e rëndësishme, vetëm në zonat e parashikuar për brenda kritereve shumë strikte do të jenë të mundura të zhvillohen me 3-4 filtra disa ndërtime ekologjike dhe miqësore me mjedisin.

E rëndësishme është të ruajmë lidhjen e njeriut me territorin. T’u japim mundësinë shqiptarëve që të jetojnë aty. Atje ku kërkojmë të bëjmë turizmin natyror duhet ofruar edhe shërbime që janë miqësore me mjedisin. Dua të siguroj të gjithë se komunikimi me komunitetin me bashkitë, u japim një zgjidhje kompromisi. Nuk pikasim asgjë pasi asgjë nuk është parashkruar. Ne vendosim rregulla. Kriteret përcaktohen nga ekspertët e ministrisë.

Më herët para Kuvendit, protestoi një grup aktivistësh nga shoqëria civile që kundërshton ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura.