Rajoni

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, NEWBORN me pamje të re!

Si çdo vit, në ditën e Pavarësisë të Kosovës, monument i Newborn-it ndryshon pamjen duke përcjellë edhe një mesazh. Vizatimet e qyteteve të ndryshme përbëjnë temën e këtij 16-vjetori të Kosovës shtet. Në një postim theksohet:

Ajo se çfarë e bën këtë vit Newborn-in të veçantë është pyetja: Sa lart mund të na çojnë ëndrrat tona? Sa larg mund të na çojnë aspiratat tona? A mundemi ne, aspirantët, besimtarët, shpirtrat e fortë të Kosovës, të fluturojmë mbi kufizimet e historisë sonë?

A mund të fluturojmë nëpër “7 Qiej”, secila shtresë duke dhënë prova për vendosmërinë tonë të fortë dhe luftën e palodhur për liri?  Ndërsa shikojmë NEWBORN-in, le të pyesim veten: Sa lart mund të na çojnë ëndrrat tona? Sa larg mund të na çojnë aspiratat tona?

Përgjigja jehon në zemrat tona dhe rezonon nëpër tokën tonë: Po, ne mund të fluturojmë!

Flamuri i Republikës së Kosovës u ngritur në oborrin e selisë së qeverisë, për nder të pavarësisë. Me këtë rast, drejtuesit më të lartë të shtetit kujtuan sakrificën më sublime të atyre që dhanë jetën për liri, si edhe theksuan se sot Kosova është më e fortë se kurrë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se në këto 16 vjet të shtetësisë së saj, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, si dhe i ka dëshmuar botës se është kontribuese e paqes, sigurisë e stabilitetit edhe përtej kufijve të saj.

Këto 16 vjet të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe ka vendosur për të treguar para botës se jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj, por është kontribuese e paqes, stabilitetit e sigurisë edhe përtej kufijve të saj. Dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Kosovës sepse secili ka dhënë një kontribut për shtetin tonë, por në veçanti dua të kujtoj ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre, dhanë jetën e tyre, dëshmorët e kombit, të gjithë martirët tanë. Në këtë ditë kujtojmë vizionin e arkitektit të Pavarësisë, presidentit Ibrahim Rugova, si dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë e guximin e familjes Jashari e të të gjithë ushtarëve me në krye komandantin Adem Jashari.