Tech

Meta do të heqë funksionin “Facebook News” në këto vende…

Meta tha së fundmi se do të ndërpresë funksionin “Facebook News” në aplikacionin e Facebookut në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani, më vonë këtë vit. Sidoqoftë, përdoruesve do t’u shfaqen linqet e artikujve të lajmeve dhe mediet evropiane do të kenë qasje në llogaritë dhe faqet e tyre në Facebook pasi ndryshimi të zbatohet në dhjetor.

Por, Facebook nuk do të krijojë marrëveshje të reja komerciale për përmbajtjen e lajmeve në “Facebook News”, as nuk do të ofrojë risi produktesh për kompanitë mediale në këto vende. “Facebook News”, që kuron një feed artikujsh lajmesh, është një skedë e dedikuar e veçantë e aplikacionit Facebook. “Lajmet përbëjnë më pak se 3% të asaj që njerëzit në mbarë botën shohin në feed-in e tyre në Facebook, kështu që zbulimi i lajmeve është një pjesë e vogël e përvojës së Facebook për shumicën dërrmuese të njerëzve”- tha Meta në një postim në blog.

Së fundmi Meta po konsideron një version me pagesë të Instagram-it dhe Facebook-ut që do të lançohet në Bashkimin Evropian. Versioni me pagesë i Instagram dhe Facebook nuk do të jetë i detyrueshëm, por opsional. Do të jetë një opsion për të zgjedhur përdorimin e rrjeteve sociale pa parë reklama në Feed. Përdoruesit nuk do të kenë reklama që bazohen në profilizimin dhe që i bëjnë të fitojnë rrjetet sociale dhe kompanitë që u drejtohen atyre për të arritur audiencën.