Marrëdhënia e një prindi me fëmijën[t] e tij është pashmangshmërisht e prirur për zemër-thyerje. Fëmijët rriten, largohen nga gjiri i familjes. Prindërit vdesin. E të gjitha këto ndodhin krejt natyrshëm, këto janë ligjet e jetës, duke ngjizur dhimbje e jo rrallë tragjedi.
Ky është thelbi i filmit debutues të regjisores 35 vjeçare nga Skocia, Charlotte Wells, e cila rrëfen në një mënyrë të thjeshtë, larg ambicieve të një kineasti prepotent pranimin universal të humbjes. Ekperienca e shikimit të filmit është ajo e një quasi-dokumentari të një babai dhe vajzës së tij në pushime në një rezort në Turqi, një rrëfim i cili evokon kujtimet prej fëmijërisë tënde e që përfundon me lotët e tu.
Njëmbëdhjetë vjeçarja Sophie (Frankie Corio) dhe babai i saj Calum (Paul Mescal) jetojnë të përditshmen e tyre mes frustrimeve të një marrëdhënie normale të një vajze dhe babait të saj si edhe ankthit për kohën që kalon shpejt, përtej dëshirës së tyre për ta ndaluar. Në prag të adoleshencës Sophie skanon me vëmendje çdo gjë që ndodh rreth saj duke qënë e pasigurt për rrugën drejt të maturuarit; me dy prindër të divorcuar që kanë gjetur një rrugë për të bashkë-rritur vajzën e tyre, e për të cilët vajza provon njëkohësisht zemërim dhe keqardhje.
Paul është ende i ri, 31 vjeç, shpesh ngatërrohet për vëllain e madh të vajzës më shumë sesa babain i saj. Në fytyrën e tij djaloshare dallojmë një lloj shqetësimi, barrën e një gënjeshtre, dualitetin e asaj që do dhe asaj që duhet. Wells vendos që të mos tregojë asgjë me dialog shpjegues për situatën e tij duke e bërë personazhin të kuptohet nga publiku përmes çdo gjëje tjetër, e njëkohësisht duke e bërë atë edhe më misterioz. Historia ndodh në të shkuarën, atëhere kur xhirimet bëheshin me një kamera dore dhe nuk ekzistonin telefonat e zgjuar. Fakti që ngjarja zhvillohet në të shkuarën kuptohet edhe nga skena e një gruaje tashmë të rritur, bërë prind gjithashtu që kujton të gjithë këtë udhëtim përmes kujtimeve të regjistruara në atë kamera 20 vite më parë.
Ambiguiteti i filmit është triumfi i tij më i madh në një film i cili flet përmes imazheve, xhirimeve amatore, më shumë sesa përmes narracionit. Është e pamundur të thuash me siguri se çfarë ka ndodhur me dy protagonistët edhe pse trishtimi i tyre, i treguar pa prepotencë apo ekzagjerim, të çon në një përfundim të dukshëm, duke e bërë filmin të jetë një përjetim prej ëndrre, kufijtë e së cilës nuk do t’i marrim vesh kurrë.
“Aftersun” prapë ngel i qartë si drita e diellit dhe e bën këtë pa asnjë lloj zbukurimi estetik apo dramatik. Është një poezi me fjalë të vogla të së përditshmes së dy njerzve, e cila nuk ka nevojë për asgjë; është e mrekullueshme, madhështore në të voglën e saj. Marrëdhënia e një djali të ri, bërë prind në një moshë të re, me vajzën e tij në moshën e adoleshencës është një motorr emocional, të cilin nuk e shohim në asnjë moment të gjykuar apo paragjykuar. Rrallë herë të ndodh në një film që ti të ndjesh për personazhet me të njëjtën forcë, ti duash e ti kuptosh ata, pavarësisht se përfaqësojnë dy anë kundërshtuese me njëra tjetrën.
Realiteti i tyre kompleks kapet në mënyrë fantastike në kamera, duke treguar të gjithë ulje-ngritjet e një marrëdhënie e cila shpesh është intime në mënyrë të pashpjegueshme e shpesh është e pamundur të gjejë pika takimi. Wells, Mescal dhe Corio lidhen në një mënyrë të natyrshme, të lehtë e të veçantë, aq sa të duket shpesh se ajo që po shikon në ekran nuk është aktrim, ky nuk është një film.
Fjalët janë të vështira për t’u gjetur kur kërkon të përshkruash delikatesën dhe ndershmërinë e këtij filmi deri në imtësitë më intime. Wells ja ka dalë të ri-shpikë gjuhën filmike përmes kësaj historie, duke çkyçur aftësinë e fjetur të mediumit të kinemasë për të thënë shumë më shumë në shumë më pak fjalë. Wells dhe drejtori i fotografisë Gregory Oke zgjedhin kompozime amatore, anti-simetrike për ta bërë filmin sa më pak artificial të jetë e mundur.
Mungesa e drive-t të filmit të bën të pyesësh veten: çfarë po shoh? jo pak herë, por fundi i filmit justifikon gjithçka dhe është një fund i treguar aq bukur sa “Aftersun” do të zërë një vend të veçantë në zemrën tënde, përgjithmonë.