Aktualitet Bota

Aktori shqiptar prangoset në Angli, ekstradimin e kërkon Belgjika!

Ende ndodhet në territorin britanik, një aktor shqiptar i filmave aksion, i kërkuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore, i cili rrezikon deri në 20 vjet burg.  Ekstradimi i Sebastjan Kallabakut u miratua nga një gjyqtar në gusht të vitit 2021 dhe u nënshkrua nga sekretarja e Brendshme e asaj kohe, Priti Patel. Por, ai ende rezulton në Britaninë e Madhe pasi apeloi vendimin.

Sipas Sunday Express, 37-vjeçari bëri një kërkesë për lirim me kusht në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit më 19 korrik, për shkak të ndalimit për aq kohë sa zgjat beteja ligjore. Por, kërkesa për të lënë paraburgimin u refuzua dhe çështja u shty deri në përfundimin e ankesës.

Gjykata dëgjoi se Kallabaku u largua nga Shqipëria në vitin 2017 për “çështje politike” e kaloi kohë në Belgjikë ku nuk kërkoi azil e shkoi në Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet belge thonë se është pjesë e një rrjeti të trafikut të qenieve njerëzore dhe ka drejtuar një varkë të mbipopulluar me 30 shqiptarë nga bregdeti holandez drejt Britanisë së Madhe, në vitin 2019.

Kallabaku i mohon akuzat e shprehet se ka krijuar një jetë familjare në Britaninë e Madhe. Nuk është e qartë se kur do të finalizohet ankesa e tij kundër ekstradimit apo kërkesës për azil. Sipas ligjit të ekstradimit të vitit 2003, pasi të ketë mbaruar procesi i apelimit, një person duhet të largohet brenda 10 ditëve. Por, i janë miratuar 10 zgjatje afatesh.

Deputeti konservator Marco Longhi:

Një nga detyrat e një shteti është të ndalojë njerëzit që nuk kanë të drejtë të hyjnë e të dëbojë nga territori ynë, ata që nuk kanë të drejtë të jenë këtu. Eshtë jetike që njerëzit që duhet të deportohen, të mos luajnë me sistemin tonë të drejtësisë. Kjo është arsyeja pse qeveria duhet të jetë e gatshme të largohet nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, nëse është e pamundur të ndalojë abuzimin e saj flagrant.

Kohën që duhet për të ekstraduar të dyshuarit dhe shkelësit e dënuar, kryetari i Migration Watch në Mbretërinë e Bashkuar, Alp Mehmet, e quan “shumë komike” e “për të ardhur keq”.

Sistemi ynë i emigracionit dhe azilit po shpërbëhet e qeveria jonë është kthyer në qesharake. Njerëzit duhet të paguajë gjithnjë e më shumë që mos kenë të drejta, ndërsa ato të mashtruesve të dyshuar e të dënuar kanë përparësi.