Aktualitet Politikë

Akuzat ndaj Olsi Ramës për Xibrakën, ja si i përgjigjet Balla-Bardhit…

Akuzat e Gazment Bardhit se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, është i lidhur me laboratorin e drogës në Xibrakë u zhvendosën në Kuvend. Kreu i qeverisë, i cili dje refuzoi edhe interpelancën, nuk ishte i pranishëm në seancën ku demokratët i akuzuan të vëllanë, por përgjigjjet iu erdhën në bllok nga socialistët të cilët u kërkuan që të presin vendimin e SPAK, ku Bardhi është paditur nga Olsi Rama për shpifje.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, hodhi poshtë të gjitha akuzat se 45-vjeçari brun i përmendur në dosjen e Xibrakës është Olsi Rama. Madje Balla tha se identitetin e këtij personi e di mjaft mirë Sali Berisha dhe me ironi i tha Bardhit që ta pyesë poshtë ballkonit. Ministri po ashtu thotë se 45-vjeçari brun është i lidhur me një prej deputetëve të Partisë Demokratike.

“Më vjen mirë që keni hapur arkivat e vjetra të baltë së SHQUP për t’iu shmangur debateve të brendshme edhe brenda vetë grupit tuaj parlamentar. Rikthimi në diskursin politik të parafolësit apo ndonjë folësi tjetër të foltores për një çështje që e kemi stërdebatuar me njëri tjetrin që nga janari 2015. Më 13 janar 2015 Policia e shtetit në bashkëveprim me Prokurorinë organizoi një operacion në Xibrakë, ku sipas asaj ëqë është bërë publike është zbuluar laborator kokaine.

Atë ditë pasdite, në PD në godinën e rë të SHQUP, njëri prej folësve të PD u thirr me urgjencë, me urdhër të pronarit, jo të drejtorit të SHQIP, dhe deklaronte se fabrika e xibrakës ishte e taulant ballës. Deputeti i PD i shkruan Berishës, pronari të SHQUP-it, i thotë që Balla është në Librazhd. S’ka problem i thotë doktori, duhet të dalë urgjentisht duhet ta fajësojmë një nga PS.

Ky diskutim vijon për disa minuta dhe del PD dhe akuzon Ramën, Ballën, Olsi Ramën dhe kush doli para. Jo ju që keni mbetur këtu, ata që kanë qenë këtu e dinë kush është ai bruni flokëshkurtër 45 vjeç. E di fare mirë ti. Shko pyet Saliun, shko sot poshtë ballkonit, dhe thuaj Sali kush është ai. E di Saliu, e ka thënë këtu në sallë kush është. Është i lidhur me një deputet të partisë tënde.

Nëse ju keni besim, pse nuk keni durim ta hetojë edhe këtë çështje SPAK. Kreu i grupit të PD është detyrë shumë e rëndësishme. Shko bëj kallëzim, mos bëj njoftim. Bëje kallëzim. Për kallëzim të rremë shko në kokërr të burgut, shko bëj kallëzim. Sot në orën 6 shko thuaj Sali kush është ai 45-vjeçari ta thotë ai, ta thonë edhe shokët e rreshtit të fundit”, tha Balla.

Nga foltorja e Kuvendit, Gazment Bardhi hodhi akuza se një person i paidentifikuar në dosjen e Xibrakës, brun dhe 45 vjeç, është Olsi Rama. Ai i bëri thirrje SPAK që të hetojë çështjen, ndërsa nga ana tjetër Balla i tha se duhet të bëjë kallëzim. Deputeti demokrat tha se e ka depozituar kallëzimin, ndërsa akuzoi ministrin e Brendshëm se po kryen veprën penale të moskallëzimit të krimit, pasi deklaroi se 45-vjeçari është i lidhur me PD.

“Olsi Rama ishte 45 vjeç atëherë, i datëlindjes 1969. Dosja për laboratorin e Xibrakës fle prej disa vitesh në Prokurori. Makina është me targa AA653DM. E thotë TIMS-i që makinën me këtë targë e ka përdorur Olsi Rama. Provohet ekzaktësisht se Olsi Rama gjatë kohës që ngrihej laboratori i Xibrakës ka përdorur këtë automjet. Do të doja të vinte këtu dhe të thoshte ke bërë hamendësim. Të njëjtin automjet në këtë periudhë e kanë përdorur 3 anëtarë të tjerë të organizatës kriminale. Këtë e thonë dokumentet shtetërore për Ermal Hoxhën, Gentjan Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Janë të dhënat e TIMS. Nuk e thotë Gazment Bardhi. Pse nuk thuhet kush është personi i paidentifikuar i moshës 45 vjeç? Pse forcat operacionale nuk kanë publikuar foton? Gjej rastin nga kjo foltore t’i bëj thirrje SPAK-ut, kreut të SPAK, zotit Dumani që të hetojë deri në fund këtë çështje dhe të vendosë para drejtësisë çdo anëtar të kësaj organizate kriminale që në vitin 2014 në mes të një vendi anëtar të NATO-s guxoi të ngrejë laborator kokaine”, tha Bardhi.

Ministrja Elisa Spiropali aluduoi për një çorbë të gatuar nga Sali Berisha, i cili sipas saj, do ta marrë nga drejtësia.

“Supa u gatua nga Berisha, u ngroh nga Basha e risillni dhe ju, është shumë e vjetër dhe bajate, ju që jeni edhe kallëzues edhe I kallëzuar do e merrni përgjigjen nga spak. dy mënyra ka ose I kallzuari në burg ose ju”, tha Spiropali.

Pas akuzave se është i lidhur me laboratorin e drogës të zbuluar në 2015 në Xibrakë, Olsi Rama e paditi Gazment Bardhin në SPAK për shpifje. Nga ana tjetër, Rama refuzoi interpelancën duke thënë se ajo kërkohet vetëm duke iu referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave që lidhen me veprimtarinë e tyre dhe jo me akuza që mund të përfshijnë familjarët.