Bota

Akuzat se bleu heshtjen e aktores së filmave për të rritur, fillon gjyqi ndaj Donald Trump!

Donald Trump do të hyjë në histori si ish-presidenti i parë që del në gjyq i akuzuar penalisht. Ai akuzohet për dhënie parash në këmbim të heshtjes. Gjyqi sapo ka filluar, me prokurorët që po bëjnë deklaratat hapëse. Kandidati i pritshëm presidencial republikan do të jetë i detyruar që të kombinojë aktivitetet e fushatës me paraqitjen në gjykatën e Manhatanit për javë të tëra për t’u mbrojtur ndaj akuzave, mes së cilave ajo për një skemë për të fshehur akuzat për tradhëti bashkëshortore që u ngritën gjatë fushatës së tij të parë presidenciale në vitin 2016.

Ky rast mund ketë pasoja të konsiderueshme politike, pasi mund të jetë e vetmja nga katër çështjet penale kundër zotit Trump, vendimi për të cilën mund të dalë para zgjedhjeve të nëntorit. Ja çfarë duhet të dini për këtë çështje dhe akuzat kundër zotit Trump:

Ku përqëndrohet çështja?

Ish-presidenti akuzohet për falsifikimin e dokumenteve të kompanisë së tij “Organizata Trump”, si pjesë e një skeme për të mbuluar në heshtje histori që ai druhej se mund të dëmtonin fushatën e tij të vitit 2016, veçanërisht pasi reputacioni i ish-presidentit Trump kishte marrë një goditje nga disa komente që ai kishte bërë për gratë. Akuzat përqendrohen në pagesat ndaj dy grave, aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe modeles së revistës ‘Playboy’ Karen McDougal. Të dyja gratë kanë thënë se kishin patur marrëdhënie intime jashtëmartesore me zotin Trump vite më parë. Po ashtu, një roje në Kullën Trump pretendon se ka informacione për një fëmijë jashtë martese të zotit Trump. Ish-presidenti i hedh poshtë të gjitha këto pretendime.

Cilat janë akuzat?

Zoti Trump përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit. Akt-padia mbart deri në katër vjet burg, por do të jetë gjyqtari që do të përcaktojë nëse ai do të dënohet me burg. Akuzat përqendrohet tek një sërë pagesash që i janë bërë zotit Cohen për ta rimbursuar atë për rolin në pagesën ndaj zonjës Daniels. Pagesat ndaj tij, të kryera gjatë 12 muajve, janë regjistruar si shpenzime ligjore në dokumentet e ndryshme të brendshme të kompanisë.

Përzgjedhja e jurisë…

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të jurisë u përmbyll të premten, duke i hapur rrugën prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës që të bëjnë deklaratat hapëse të hënën. Dymbëdhjetë anëtarët e jurisë që u zgjodhën të enjten, së bashku me gjashtë rezervë të zgjedhur të premten, do të vendosin mbi fajësinë, ose jo, të një ish-presidenti. Gjyqtari Juan M. Merchan i zgjodhi anëtarët e jurisë nga një numër i madh njerëzish, duke skualifikuar ata me paragjykime të mundshme për çështjen, ose ata që për arsye të tjera nuk mund të shërbenin.