Rajoni

Amerika kritika Kosovës për veprime “të pakoordinuara” dhe Serbisë për sulmin në Banjskë!

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield kritikoi Prishtinën për veprime të pakoordinuara, si dhe Beogradin për shmangie të përgjegjësisë për sulmin në Banjskë, vitin e kaluar.

Diplomatja iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga “veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese” e kritikoi institucionet e Kosovës për ato që i quajti “veprimet e fundit të pakoordinuara” ndaj institucioneve komunale të mbështetura nga Serbia në pjesën perëndimore të Kosovës dhe kundrejt organizatës joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë.

Këto veprime nuk përputhen me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian për t’i dhënë përgjigje çështjeve që prekin mirëqenien e minoritetit serb. Ato dëmtojnë rrugëtimin drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Zbatimi i vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës është bërë pa përgatitje të mjaftueshme apo konsultime me popullatën vendase.

Përsërisim thirrjen që zbatimi i këtij plani të shtyhet menjëherë deri në vendosjen e procedurave të duhura në përputhje me standardet dhe praktikat europiane dhe popullata e prekur të jetë informuar.  Pengesat në shpërndarjen e fondeve nga Serbia duhet të minimizohen gjatë kësaj periudhe të tranzicionit.

Përfaqësuesja amerikane në Kombet e Bashkuara, po ashtu përsëriti dënimin e sulmeve “të koordinuara, të dhunshme paraushtarake serbe ndaj policisë së Kosovës” në Manastirin e Banjskës më 24 shtator të vitit të kaluar. Gjatë tyre u vra një polic i Kosovës.

Katër muaj kanë kaluar që nga ky sulm dhe Serbia ende nuk po i mban përgjegjës ata që janë të përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e tij. Në fakt, udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit mbetet i lirë në Serbi.

Diplomatja e Uashingtonit i bëri thirrje Serbisë që “t’i mbajë plotësisht përgjegjës drejtuesit dhe organizatorët e sulmit të 24 shtatorit”.

Serbia duhet gjithashtu të punojë me KFOR-in për t’u siguruar që një sulm i tillë të mos përsëritet!

Ambasadorja amerikane, Thomas-Greenfield theksoi se dialogu për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë nën udhëheqjen e Bashkimit Europian dhe jo në Kombet e Bashkuara.