Auto & Moto

Amerika po shqyrton ndalimin total të importimit të makinave nga Kina!

Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo, thotë se Shtëpia e Bardhë po heton seriozisht kërcënimin e paraqitur nga automjetet e lidhura me Kinën. Ajo në komentet për agjencinë Reuters, tha se SHBA mund të ndalojë shitjen dhe drejtimin e automjeteve që janë në çfarëdo mënyre të lidhura me Kinën.

“Qeveria është e gatshme të marrë masa ekstreme dhe të ndalojë automjetet e lidhura me Kinën nëse hetimi i nisur në shkurt tregon se ato përfaqësojnë një kërcënim kombëtar. Përfundimisht, mund të ndodhë që ato të lejohen të importohen, por me kufizime”-tha Raimondo.

Ajo, megjithatë, theksoi se ka ende shumë punë për qeverinë amerikane përpara se të merret një vendim kaq i rëndësishëm dhe se para së gjithash duhet të rishikohen të gjitha të dhënat e marra. Nuk është plotësisht e qartë se cilat kritere do të duhet të plotësojnë automjetet kineze, por, për shembull, makinat amerikane Tesla vetëm kohët e fundit iu është dhënë qasje në disa pjesë të tregut kinez, pasi është vendosur që ato nuk janë kërcënim për sigurinë kombëtare në Kinë.

Një ekspert nga industria kineze e automobilave kritikoi deklaratat e Raimondo dhe i tha Global Times se çdo ndalim ose kufizim do të kërcënonte parimin e tregut të lirë. Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme kineze tha se dobësimi i zinxhirëve të furnizimit përfundimisht do të dëmtonte vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa aktualisht është e pamundur të blini makina kineze BYD ose Nio në SHBA, Volvo EX30 SUV, i prodhuar në Kinë (Geely zotëron Volvo), do të jetë i disponueshëm në Amerikë duke filluar nga kjo verë, dhe Polestar 2 tashmë është i disponueshëm.