Bota

Amerika: Tajvanit po i vijnë armët!

Zyrtari i lartë amerikan, Michael McCaul u shpreh sot se porositë e bëra nga Tajvani janë rrugës dhe shtoi se “lojërat kineze që u ngjajnë luftërave” e kanë rritur nevojën për të forcuar kapacitetet e këtij ishulli në fushën e mbrojtjes. Ishullin që vetëqeveriset, Pekini zyrtar e konsideron si të vetin e është zotuar se do ta fitojë kontrollin e tij edhe përmes forcës, në rast se lind nevoja.

Qeveria e Tajvanit, në anën tjetër, hedh poshtë pretendimet e Pekinit për ishullin. Në dy vitet e fundit, Tajvani është ankuar për vonesa në pranimin e furnizimeve ushtarake amerikane, të tilla si raketat Stinger. Kjo për shkak se prodhuesit amerikanë janë duke furnizuar Ukrainën me armë, teksa lufton me pushtuesit rusë prej më shumë se dy vitesh tashmë.

McCaul, udhëheqësi i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë ka thënë se ushtria e Kinës u ka dërguar Shteteve të Bashkuara një mesazh të fuqishëm javën e kaluar.

Ne po e çojmë përpara punën sa u përket sistemeve të armëve. Do të doja të shihja punë më të shpejtë, mirëpo [armët] po vijnë, u ka thënë McCaul gazetarëve në Taipei, pas takimit me presidentin e Tajvanit, Lai Ching-te.

Ai ka thënë se Tajvanit i duhen mjaftueshëm armë në mënyrë që presidenti kinez, Xi Jinping të kuptojë që rreziqet e pushtimit të ishullit i tejkalojnë përfitimet.

Presidenti Lai dhe unë, si gjithmonë, kemi pasur bisedë shumë direkte për kërcënimin me të cilin përballet ishulli prej fqinjit verior vuri në dukje McCaul. Pa mbrojtje të fuqishme, Xi ka ambicie shumë agresive.

Kina e ka sanksionuar McCaul-in vitin e kaluar, pas një vizite që pati realizuar në Tajvan, për t’u takuar me zyrtarë të lartë atje.