Aktualitet

AMF hedh për konsultim projektrregulloren për agjentët e fondeve të pensionit privat!

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hedhur për konsultim publik një proejtrregullore të re në zbatim të ligjit “Për Fondet e Pensionit Privat”, që hyri në fuqi në fund të vitit të kaluar.

Projektrregullorja “Për kushtet dhe kriteret e personit juridik që do të veprojë si agjent i fondit të pensionit privat” ka si qëllim përcaktimin e kushteve dhe kritereve që duhet të plotësojnë personat juridikë që do të veprojnë si agjentë të fondit të pensionit privat, përcaktimin e rregullave për t’u regjistruar nga shoqëria administruese si edhe të kushteve për të ushtruar veprimtarinë si agjent i fondit të pensionit privat.

Agjenti i fondit të pensionit duhet të të jetë institucion financiar, të ketë marrë paraprakisht miratim nga Autoriteti përkatës licencues, për të vepruar si agjent i fondit të pensionit, të ketë strukturën organizative për kryerjen e shërbimit të agjentit të fondit të pensionit, të ketë punonjës të aftë dhe të përshtatshëm për promovimin e fondit të pensionit, të ketë procedura për njohjen e klientit dhe informacionin që duhet t’i jepet anëtarit të fondit gjatë promovimit të fondit të pensionit, të ketë procedura për parandalimin dhe administrimin e konfliktit të interesit, etj.

Sipas projektrregullores, agjenti i fondit të pensionit duhet të vlerësojë para nënshkrimit të kontratës së fondit të pensionit përshtatshmërinë e fondit të pensionit privat me kushtet dhe rrethanat e anëtarit të mundshëm; të mos japë informacione të gabuara ose informacione që mund të mashtrojnë anëtarin e mundshëm në lidhje me gjendjen e fondit, të paraqesë fakte të pavërteta dhe të pasakta në lidhje me fondin, objektivat e investimeve, rreziqet e lidhura, çmimin e kuotës, kthimin nga investimi ose çdo çështje tjetër në lidhje me fondin ose shoqërinë administruese; të përdorë vetëm prospektin, raportet mujore për ecurinë e fondit dhe materialet promovuese të miratuar nga një person kyç i shoqërisë administruese në emër të shoqërisë administruese  të licencuar, gjatë promovimit të fondit të pensionit ose ofrimit të anëtarësimit në fond; të ruajë konfidencialitetin për të gjitha informacionet e marra nga anëtari i mundshëm; të informojë anëtarin e fondit për të gjitha tarifat që do t’i ngarkohen, opsionet e pagesës së pensionit me lindjen e së drejtës për pension, kushtet kur lind e drejtat e pensionit, kushtet për tërheqjen nga fondi apo transferimin e aktiveve, rreziqet e investimit, si dhe mënyra dhe afatet për informimin e anëtarit të fondit të pensionit, përpara nënshkrimit të kontratës së anëtarësimit; të mbajë të dhëna të plota për çdo kontratë të nënshkruar dhe t’i përcjellë brenda ditës së punës kontratat e lidhura të anëtarësimit tek shoqëria administruese; të shmangë konfliktet e interesit, për të garantuar që interesat e anëtarëve të fondit të pensionit privat, për të cilin do të kryejë funksionin e agjentit, të kenë përparësi dhe të qëndrojnë mbi interesat e shoqërisë administruese dhe interesat e punonjësve të tij ose të çdo personi të lidhur me të në bazë të ligjit si dhe legjislacionit në fuqi, dhe aktet rregullative të miratuara nga Autoriteti në bazë të këtyre ligjeve; të sigurojë parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit; etj.

Shoqëria administruese e fondit të pensionit duhet të publikojë në faqen e saj të internetit një listë të përditësuar të agjentëve të fondit të pensionit dhe duhet të garantojë që veprimtaria të kryhet vetëm përmes agjentëve të regjistruar.

Shoqëria administruese gjithashtu duhet të verifikojë rregullisht që agjentët e saj janë në përputhje të vazhdueshme me afatet dhe kushtet e licencës së shoqërisë administruese të fondeve dhe, nëse jo, duhet të ndërpresë të drejtën e agjentit për të ushtruar veprimtarinë dhe të njoftojë menjëherë AMF.

Sipas projektrregullores, të gjithë agjentët e fondeve të pensionit të regjistruar para hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, do të vijojnë veprimtarinë për të cilën janë regjistruar, me kusht që brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje të përshtaten me kërkesat e reja.