Bota

Anija gjermane “Hessen” përfundon misionin kundër rebelëve Houthi në Detin e Kuq!

Një luftanije gjermane përfundoi misionin e saj në mbrojtjen e anijeve tregtare nga militantët Houthi në Jemen dhe sot në mëngjes u nis nga Deti i Kuq. Fregata ishte pjesë e misionit detar mbrojtës të Bashkimit Europian “Aspides” dhe u vendos në Detin e Kuq në fund të muajit shkurt, për të mbrojtur anijet tregtare nga sulmet e militantëve në Jemen, të cilët po protestojnë kundër luftës në Gaza.

Deti i Kuq është shtëpia e rrugës më të rëndësishme detare nga Azia në Europë, e cila kalon përmes Kanalit të Suezit. Rebelët Houthi, aleatë me Iranin, duan që t’i japin fund operacionit ushtarak izraelit në Rripin e Gazës.

Fregata, me një ekuipazh prej 240 vetësh në bord, përfundoi misionin në orën 05:50 (03:50 GMT) dhe u largua nga zona e operacionit. Ekuipazhi i “Hessen”-it, në mënyrë të përsëritur rrëzoi dronët e nisur nga militantët në misionin e parë të marinës gjermane të këtij lloji.

Anija u vendos më 23 shkurt, pas një sërë sulmesh në anijet tregtare. Kompanitë e mëdha të anijeve filluan të shmangin Detin e Kuq, pjesë e rrugës më të shkurtër detare midis Azisë dhe Europës, duke ndikuar në ekonominë globale.

Ministria gjermane e Mbrojtjes tha se anija shoqëroi në mënyrë të sigurt 27 anije tregtare nëpër zonën e operacionit.

Në katër raste, dronët dhe raketat Houthi u eliminuan me sukses. Në total, fregata mbuloi më shumë se 11 000 kilometra katrore në zonën e operimit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara mbi ofensivën e planifikuar ushtarake të Izraelit në Rafah duke theksuar se “nuk mund ta mbështesin “. Gjatë një konference për shtyp pas takimit të G7-ës në Itali, kryediplomati i Uashingtonit u shpreh se ofensiva do të kishte pasoja të tmerrshme për popullatën e zhvendosur në Rafah.

Referuar raportimeve mediatike, dje në mëngjes, Izraeli kreu një sulm ndaj Republikës Islamike në Isfahan. Por, Teherani zyrtar po e minimizon rëndësinë e tij. Ministri i Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian tha se nuk ka sinjale për të dëshmuar se ky veprim u bë nga Izraeli. “Dy apo tre, ishin pak a shumë si lodra me të cilat luajnë fëmijët tanë e jo dronë”, theksoi zyrtari.