Aktualitet Bota

Anuloi vizitën në Dubai, Papa Françesku: Kam bronkit akut dhe infektiv!

Papa Françesku njoftoi ditën e sotme se vuan nga një formë akute e bronkitit, si pasojë e të cilit nuk mund të udhëtojë në Dubai këtë fundjavë për samitin e klimës COP28, raportojnë mediat e huaja.

“Doktori nuk më la të shkoj në Dubai, sepse atje është shumë vapë, nga dhomat e ngrohta kaloni në dhoma me kondicioner, gjë që nuk është shumë e dëshirueshme për gjendjen time aktuale shëndetësore. Falë Zotit nuk ishte pneumoni, por bronkit infektiv akut”, tha Papa duke shtuar se po trajtohet me antibiotikë.

Pavarësisht se është i sëmurë, Papa ende i kryen detyrat e tij dhe takohet me njerëz.

Ndërkohë Papa Françesku ka përsëritur thirrjen e tij për paqe, teksa bën thirrje për lutje për njerëzit që vuajnë në Myanmar, Ukrainë, Palestinë dhe Izrael dhe thekson faktin se të vetmit që përfitojnë nga lufta janë prodhuesit e armëve.

“Paqja është e mundur. Duhet vullnet i mirë”, tha Papa Françesku këtë të dielë dhe kërkoi që njerëzimi të mos i dorëzohet kurrë luftës dhe të mos demoralizohet.

Ne vazhdojmë të lutemi për Ukrainën e torturuar dhe për popullin e Palestinës dhe Izraelit. Paqja është e mundur, kërkon vullnet të mirë,” tha Françesku në bekimin e tij të përjavshëm Angelus.

“Paqja është e mundur, le të mos i dorëzohemi luftës. Dhe të mos harrojmë se lufta gjithmonë, gjithmonë, është një disfatë. Vetëm prodhuesit e armëve fitojnë”.