Tech

Apple së shpejti me dyqanin e parë në Indi!

Shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook pritet të hapë dyqanin e parë të kompanisë në Indi në qytetin Mumbai. Ai gjithashtu do të marrë pjesë në hapjen e një dyqani të dytë në kryeqytetin Delhi. Deri më tani, produktet e Apple kanë qenë të disponueshme në Indi në internet ose përmes një rrjeti të gjerë të ri-shitjes së produkteve.

Së fundmi Cook shkroi në Twitter se ai mezi pret të mirëpresë klientët në dyqanin e ri në Mumbai. Më herët gjatë ditës, Apple iu kishte dhënë disa blogerëve dhe analistëve një pamje paraprake të dyqanit, i cili ndodhet në një lagje luksoze të qytetit. Dizajni i dyqanit është frymëzuar nga taksitë zi-verdhë që janë kudo në Mumbai.

Rikujtojmë, se Apple njoftoi së fundmi se konferenca e saj vjetore e zhvilluesve, WWDC, do të fillojë më 5 qershor dhe do të zgjasë deri më 9 qershor. WWDC është konferenca më e madhe e vitit e kompanisë Apple. Kompania fton zhvilluesit e softuerit të vizitojnë selinë e saj dhe mban seminare dhe sesione të dedikuara për përdorimin e mjeteve softuerike të Apple për të krijuar aplikacione të reja. Kompania zakonisht diskuton qëllimet e saj për zhvillimin e softuerit dhe zbulon veçori të reja të iPhone-it.