Bota

Armë me uranium të varfëruar për Ukrainën, sa rreziqe sjellin?

Britania e Madhe njoftoi se do ta furnizojë Ukrainën me municione që përmbajnë uranium të varfëruar për të ndihmuar në shkatërrimin e tankeve të Rusisë. Presidenti Vladimir Putin reagoi e paralajmëroi se ky hap do ta detyrojë Moskën të përgjigjet.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Rusia, Kina, Franca dhe Pakistani prodhojnë armë të tilla, të cilat nuk klasifikohen si bërthamore. Ka shumë studime dhe polemika rreth efekteve të ekspozimit ndaj armëve me uranium të varfëruar, sidomos në luftë.

“Rreth 340 tonë uranium i varfëruar u përdorën gjatë Luftës së Gjirit të vitit 1991 dhe afro 11 tonë në Ballkan, në fund të viteve 1990”, – sipas Royal Society, me seli në Londër.

Thithja e sasive të uraniumit, madje dhe atij të varfëruar është e rrezikshme: ul funksionin e veshkave e rrit rrezikun e zhvillimit të një sërë tumoresh.

Koalicioni Ndërkombëtar për Ndalimin e Armëve të Uraniumit thotë se “pluhuri i krijuar nga armë të tilla mund të thithet, ndërsa municionet që humbasin objektivin e tyre mund të helmojnë ujërat nëntokësorë e tokën”.

Vende si Shtetet e Bashkuara dhe Britania shprehen se uraniumi i varfëruar është një mjet i mirë për të shkatërruar një tank modern.

Studimet te ushtarë dhe veteranë të luftërave ku është përdorur ky element, treguan se statistikisht, efektet negative janë shumë të vogla.

Një raport i Programit të Mjedisit i Kombeve të Bashkuara mbi ndikimin e uraniumit të varfëruar në Serbi e Malin e Zi, nuk gjeti “ndotje të rëndësishme dhe të përhapura”. Disa politikanë serbë e kundërshtojnë këtë përfundim e kanë raportuar për rritje të sëmundjeve malinje në Serbi dhe të numrit të vdekjeve nga tumoret.

Presidenti Putin tha se nëse kjo ndodh, Rusia do të përgjigjet në përputhje me rrethanat, pa dhënë detaje se çfarë mund të sjellë një përgjigje e tillë. Sipas tij, “Perëndimi po përdor armë me përbërës bërthamorë”.

Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, deklaroi:

Të gjithë duhet të kuptojnë se vetëm pse fjala uranium është te municionet me uranium të varfëruar, ato nuk janë bërthamore, por thjesht konvencionale.