@ the movies Celebrities Film & Tv

Armond Morina dhe Edona Reshitaj rrëfejnë gjithçka për filmin e tretë të trilogjisë së gangsterëve “Adnan Kafazi”!

Të ftuar sot në emisionin @ the Movies ishin aktori kosovar Armond Morina dhe këngëtarja dhe aktorja kosovare Edona Reshitaj të cilët na folën më shumë për filmin e zhanrit aksion-komedi të titulluar “Adnan Kafazi”. Filmi “Adnan Kafazi” është vazhdimi i triologjisë së filmave “Zonjusha” dhe “Diamanti”.

Pse u zgjodh ky emër personazhi dhe po ky emër i filmit?

Armond:

Producenti dhe skenaristi Besart Sllamniku e ka vendosur edhe emrin. Ata bëjnë edhe disa strategji të joshjes. Titulli sidomos në Hollywood ka shumë  domethënie. Meqenëse ndërlidhet me veprimtaritë e tij kriminale ata që do ta shohin do ta dinë pse e ka marrë atë ‘nickname’-in Kafazi. Filmi është një krim komedi, i cili e vendos ngjarjen në një qytet të madh në Kosovë, si Prishtina për shembull, mirëpo ngjarja është imagjinare dhe përkon pak me realitetet tona aty këtu dhe është një ‘minihollivud’ i shqiptarëve.

Pse keni zgjedhur pikërisht zhanrin aksion komedi, i cili nuk është shumë i lëvruar në Shqipëri?

Armond:

Prodhimi i filmit është një industri shumë e shtrenjtë, i cili nuk bëhet pa mbështetjen e shtetit. Këto qendrat tona prodhojnë më shumë filma artistikë. Ky është një zhanër që edhe industria më e madhe në botë 60% i kushton rëndësi, sepse njerëzit kanë nevojë edhe të argëtohen. Tek mentaliteti jonë shqiptar është abuzuar me artin.

Edona:

Pjesa e parë e triologjisë ka qenë filmi “Zonjusha” që është bërë në vitin 2016, ku 3 gangstere i kanë disa aventura të ndryshme dhe rastësisht hyjnë në botën e krimit. Pjesa e dytë është “Diamanti” në vitin 2018 dhe të dy mund të gjenden online. Filmat nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin mund ti shihni edhe veç e veç. Adnan Kafazi është më i realizuar dhe vija dramaturgjike e skenarit i ka tre ose katër qasje të ndryshme. Komplimenti më i mirë që kemi marrë është se filmi është realizuar si një i huaj vetëm ju flisni shqip.

Sa e vërtetë është që filmi ka një konotacion politik?

Armond:

Jo, nuk është e vërtetë ne duam ta lidhim me realitetin. Ne si shoqëri nuk kemi dërguar në Evropë shkencëtarë, ne kemi prodhuar gangstera. Ajo që mund të lidhet shumë me realitetin është që Besarti e ka fuqizuar shumë femrën. Edhe pse është argëtues filmi jep edhe disa mesazhe. Në fund të fundit arti është refleksion.

Edona:

Filmi ka shumë ngjyra, është një multizhaner edhe në fund ka një shpërthim të gjinisë femërore.

A mendoni se gjuha e përdorur në film është një gjuhë e ashpër e rrugës?

Armond:

Në fakt është e çuditshme derisa audienca jonë të mësohet me gjuhën e karaktereve. Edhe në filmat amerikanë kur një personazh sjell fjalën ‘Fuck you’ na duket sikur thotë mirëmëngjes po kur e dëgjojmë në Shqipëri na duket vulgare.

A ka momente emocionale gjatë filmit?

Edona:

Dominon komedia sigurisht. Por edhe nëse ke vazhdimisht të qeshura bëhet monotone, por momentet emocionale janë pikat e duhura në vendin e duhur.

Armond:

Filmi është argëtues ka muzikë vendore, këngët e Dafinës të bëjnë të relaksohesh, është tipik një film argëtues hollivudian.