Rajoni

Arrestohen 37 persona në aksionin kundër një grupi kriminal nga Ballkani Perëndimor!

37 persona u arrestuan si pjesë e një bande kriminale “shumë të dhunshme” nga Ballkani Perëndimor. Prangosja e tyre u bë gjatë një operacioni policor ndërkombëtar dhe njoftimin e dha Europol-i. Aksioni u koordinua nga Kroacia.

Kryesisht, kjo “celulë e fuqishme kriminale” ishte përfshirë në trafikun në shkallë të gjerë të drogës dhe armëve të zjarrit në të gjithë Europën, sipas  agjencisë së zbatimit të ligjit të Bashkimit Europian.

Gjatë hetimit u arrestuan gjithsej 37 të dyshuar, duke përfshirë kreun e bandës, një shtetas i Bosnjë-Hercegovinës, të cilin Europol e konsideron një objektiv me vlerë të lartë dhe që aktualisht po vuan një dënim me katër vjet burg në Itali.

Europol shton:

Kreu i bandës dyshohet se organizonte kontrabandën e drogës dhe armëve të zjarrit duke u dhënë urdhra vartësve, edhe pse ishte në qeli.

Në të njëjtën kohë, dje një seri bastisjesh u kryen në Kroaci, Slloveni, Bosnjë-Hercegovinë, Holandë, Itali, Belgjikë e Gjermani kundër anëtarëve të dyshuar të grupit kriminal.

Së bashku me arrestimet, policia sekuestroi rreth 148 mijë euro para cash, si dhe 18 armë zjarri, duke përfshirë dy automatikë e 500 gramë TNT me detonatorë nga distanca. Po ashtu, policia ka sekuestruar 15 kilogramë kokainë, 11 kilogramë heroinë, si dhe sasi më të vogla të drogave të tjera.

Hetimi ndërkombëtar pasoi atë që Europol-i e përshkroi si një “hetim i ndërlikuar”, i kryer nga policia kroate si pjesë e Task Forcës “Ballkan Cartel”.