Bota

Asambleja e OKB/ SHBA ofron 2.9 miliardë dollarë për sigurinë ushqimore, Biden: Bota duhet të shohë aktet e egra!

Presidenti Joe Biden njoftoi se SHBA do të ofrojë 2.9 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë ushqimore globale, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë të mërkurë.

Investimi prej 2.9 miliardë dollarësh, synon të mbështesë furnizimin me ushqim në mes të pushtimit rus të Ukrainës, inflacionit dhe çështjeve të tjera të zinxhirit të furnizimit.

Ndihma përfshin 2 miliardë dollarë ndihmë humanitare globale nëpërmjet USAID-it, Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar.

Presidenti i SHBA Joe Biden u zotua të qëndrojë në krah të Ukrainës dhe kundër agresionit rus.

“Bota u testua dhe ne nuk hezituam. Ne zgjodhëm lirinë. Ne zgjodhëm sovranitetin. Ne zgjodhëm parimet të cilave u respekton çdo palë në kartën e Kombeve të Bashkuara. Ne qëndruam me Ukrainën,” tha Biden të mërkurën.

Biden tha se anëtarët e OKB-së duhet të jenë të bashkuar kundër luftës së Rusisë.

“Ashtu si ju, Shtetet e Bashkuara duan që kjo luftë të përfundojë me kushte të drejta, me kushtet për të cilat ne të gjithë jemi nënshkruar, që ju nuk mund të kapni territorin e një kombi me forcë. Ne duhet të jemi të qartë, të vendosur dhe të palëkundur në vendosmërinë tonë”, tha ai.

“Ukraina ka të njëjtat të drejta që i takojnë çdo kombi sovran. Ne do të solidarizohemi me Ukrainën, do të solidarizohemi kundër agresionit të Rusisë”, shtoi Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden e filloi fjalimin e tij duke thënë se në vitin e fundit bota jonë ka përjetuar trazira të mëdha.

Këtu ai përfshiu edhe luftën në Ukrainë, duke e quajtur  “brutale të panevojshme të zgjedhur nga një njeri”.
Biden tha se Rusia, një anëtar i shquar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pushtoi fqinjin e saj duke shtuar se Moska ka shkelur parimet thelbësore të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Presidenti deklaroi se sot Putini ka bërë kërcënime bërthamore kundër Evropës, duke shtuar se Rusia po thërret më shumë ushtarë për të luftuar dhe se Kremlini po përpiqet të aneksojë pjesë të Ukrainës.

“Bota duhet të shohë aktet e egra për atë që janë”, u shpreh ai.