Një shqiptar është plagosur në orët e para të mëngjesit në rrugën Sidhirokastru në zonën Votanikos të Athinës. Sipas policisë greke, i lënduari quhet Renis Fajzolli. Mësohet se 34-vjeçari ndodhej në një park ku do të takonte një person të panjohur për autoritetet.
Ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur saktësisht, por mësohet se ka qenë vetë Fejzolli i cili kërkoi ndihmë nga një ekip mjekësh që po kalonte me ambulancë në zonë. Ai u tha mjekëve se u qëllua me pistoletë dhe se nuk i njeh autorët.
Fejzolli u dërgua në spitalin Gjenimatas të Athinës ku edhe iu nënshtrua një operacioni për heqjen e plumbave. Mjekët thonë se gjendja e tij është e rëndë. Në vendin e ngjarjes, policia gjeti tre gëzhoja të një pistolete 9 mm, ndërsa makina e tipit “Smart” e shqiptarit do t’i nënshtrohet kontrollit për gjetjen e ndonjë gjurme të autorëve.
Zona në të cilën ndodhi ngjarja identifikohet si një arenë e përballjes mes bandave të gjobëvënësve të lokaleve të natës në kryeqytetin e Greqisë, Athinë. Ajo është vetëm pak metra nga zona e lokaleve të natës Gazi, vend ku shpesh regjistrohen akte dhune, si dhe përleshje të armatosura mes bandave kriminale.
34-vjeçari ka qenë i arrestuar në vitin 2019 për një çështje droge, por provat e deritanishme nuk tregojnë për përfshirjen e tij në ndonjë tjetër rast të rëndë.