Sport

Ballkani dhe Daja të pandalshëm, kampionë të Kosovës për herë të tretë radhazi!

Një javë përpara fundit të sezonit, Ballkani i Ilir Dajës është matematikisht kampion i Kosovës, duke e fituar kampionatin për të tretën herë në histori dhe njëkohësisht për të tretën herë radhazi.

Skuadra nga Suhareka fitoi me rezultatin 0-1 në transfertën e Llapit me golin e vetëm të këtij takimi që u shënua nga Karrica në minutën e 73′, duke shkuar në kuotën e 75 pikëve në krye të renditjes, plot shtatë pikë diferencë nga vendi i dytë që mbahet nga Llapi.

Skuadra e kryesuar nga trajneri Ilir Daja vazhdon me sukseset, duke dominuar në tre vite radhazi në elitën e futbollit të Kosovës dhe duke shkruar historinë.

Sa u përket ndeshjeve të tjera të javës së parafundit të Superligës së Kosovës, Drita u mund me rezultatin 2-1 nga Gjilani në transfertë, duke qëndruar në vend të tretë me 66 pikë, teksa Gjilani renditet në vend të shtatë me 42 pikë.

Feronikeli fitoi me rezultatin 3-2 ndaj Dukagjinit, duke mbetur ende në lojë për mbijetesë pasi renditet në vend të tetë me 41 pikë, një pikë më pak se Gjilani i vendit të shtatë, teksa Dukagjini renditet në vend të gjashtë me 45 pikë.

Malisheva bind me rezultatin 7-4 ndaj Lirisë me këta të fundit që prej javësh kanë rënë nga Superliga e Kosovës, pasi renditen në vend të fundit me 14 pikë. Sa u përket vendasve, Malisheva renditet në vend të katërt me 56 pikë.

Prishtina nga ana tjetër shkatërron me rezultatin 5-0 ekipin e Fushë Kosovës. Pas mbylljes së këtij raundi Prishtina renditet në vend të pestë me 49 pikë, teksa Fushë Kosova ka rënë matematikisht nga Superliga prej disa javës, pasi renditet në vend të nëntë me 20 pikë.

Pra një javë para mbylljes së sezonit të Superligës së Kosovës Ballkani siguron titullin kampion, ndërsa Llapi dhe Drita e kanë siguruar prej javësh Europën, Liria dhe Fushë Kosova kanë kohë që kanë rënë nga kategoria.

Tashmë do të luftojnë në janë e mbetur janë Feronikeli dhe Gjilani që janë matematikisht në lojë për të shpëtuar nga vendi i tetë i renditjes ose thënë ndryshe pozicion që do luajë më pas në “Play-Out”.