Rajoni

Ballkani i ‘mbyll rrugët’ Lavrov-it, në pikëpyetje vizita e tij në Beograd!

Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Bullgaria kanë ndaluar fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov i cili do ta vizitojë të hënën Beogradin

Në të njëjtën kohë, nga zyra e presidentit të Serbisë, kanë njoftuar se nesër në orën 10 Vuçiç do të takohet me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko.

Siç ishte paralajmëruar më parë, kreu i Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse duhet të vizitojë Republikën e Serbisë më 6 dhe 7 qershor. Në axhendë janë planifikuar takime me presidentin e Serbisë, Ministrin e Punëve të Jashtme, kryetarin e Kuvendit dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe.

Kujtojmë se kryeministrja Ana Brnabiç deklaroi këtë të dielë se situata rreth mbërritjes së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Beograd është “jashtëzakonisht e komplikuar” dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiç po merret me logjistikën e udhëtimit të tij.

“Është vërtetë e pabesueshme që situata në Evropë dhe në botë është e tillë që presidenti i një vendi duhet të merret me gjëra të tilla si logjistika e udhëtimit të një ministri të jashtëm, e cila përcakton nëse ai do të vijë apo jo”, tha Brnabiç për Pink TV.

Kujtojmë se dy ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç , tha se vizita e ministrit rus Sergei Lavrov tashmë ishte planifikuar dhe se rezultati i vizitës është i pasigurt derisa të realizohet.

Ai shtoi se nuk përjashton muindësinë që vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov në Beograd, mund të rrezikojë vizitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz.