Kryedemokrati Lulzim Basha ka nisur një tur me diasporën, ndërsa në takimin e parë u ndal në Lombardi të Italisë. Në këtë takim me emigrantët shqiptarë, kreu i PD e vendosi theksin tek vota e emigrantëve, që sipas tij kasta e vjetër politike po bën një komplot për të mos realizuar votimin e diasporës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Cila është arsyeja miqtë e mi që tre palë zgjedhje parlamentare dhe 3 palë zgjedhje lokale, Rama premtoi votën për shqiptarët jashtë Shqipërisë, vota e diasporës. Edhe sot e kësaj dite mbetet një premtim i parealizuar. Ju jeni shembujt që shqiptarit nuk i mungon asgjë për të arritur standardin europian, do të thotë barazi para ligjit dhe fundi pandëshkueshmërisë. Nuk mund të tolerojë një shoqëri me dy standarde. Nëse integrimi i Shqipërisë në BE është siç deklarohet qëllimi më i lartë, dorën më së pari do ia shtrijmë shqiptarëve në BE. Nuk ndodh kjo as në qeverisje, as në ekonomi. Mbi 160 mijë sipërmarrës shqiptarë punojnë me kokën lart dhe japin kontribut në ekonominë italiane, por e kanë të vështirë të fusin këmbën në ekonominë e cunguar shqiptare”, tha Basha.
Sipas Bashës nuk ka asgjë të pamundur për realizmin e votës së emigrantëve, por politikanët e vjetër e shohin votën e shqiptarëve jashtë si një rrezik esencial.
“Nuk ka asgjë të pamundur për të realizuar votën tuaj këtu ku jetoni, në kushte të plota të integritetet dhe lehtësisë për ta hedhur këtë votë, por ka një komplot të kastës së vjetër politike, të atyre që gjithë ditën e gjithë natën e shohin diasporën shqiptare, emigrantët shqiptarë me vlerat që ju përfaqësoni, me parimet tek të cilat besoni, sepse përmes këtyre parimeve të jeni të qartë përpara, në Itali, Greqi, në Amerikë, në Angli e kudo si një rrezik esencial për lojën e tyre të vjetër.
Për ta mbajtur Shqipërinë kështu siç është, madje duke e plakur e duke e pakësuar ditë për ditë, për sa kohë mbahet nën kontrollin e duarve dhe mendjeve të vjetra politike. Kjo është arsyeja pse më pak se një vit para të katërtave palë zgjedhje që kur premtoi votën e emigrantëve nga kjo sallë, ky kryeministër por jo vetëm ai i druhen zërit tuaj, i druhen vendimit tuaj, i druhen gjykimit tuaj, i druhen votës tuaj. Qëllimi është i qartë, t’ju bëjnë të hiqni dorë nga Shqipëria”, tha Basha.
Basha shoqërohej në këtë vizitë nga sekretari i përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj dhe dy nënkryetarët Roland Bejko dhe Kreshnik Çollaku.