Rajoni

BE: Raporti i ODHIR-it konfirmon shqetësimet për parregullsi në zgjedhjet në Serbi!

Raporti i fundit i OSBE-së konfirmon shqetësimet e BE-së për zgjedhjet e 17 dhjetorit të kaluar në Serbi. Kjo u theksua nga zëdhënësi Peter Stano referuar dokumentit përfundimtar të Zyrës për Demokraci, Institucione dhe të Drejtat e Njeriut së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, (OSBE). Beogradit zyrtar i kërkohet të adresojë në mënyrë transparente, raportet për parregullsi në zgjedhje. Ky ishte i pari reagim i BE-së pas publikimit të raportit të ODHIR-it.

Edhe deputetë të Parlamentit Europian kishin raportuar një varg parregullsish në zgjedhjet parlamentare e lokale të dhjetorit të kaluar në Serbi. Përmes një rezolute urgjente, ata kërkuan një hetim ndërkombëtar për parregullsitë.

Peter Stano theksoi:

Raporti final i ODHIR-it për zgjedhjet në Serbi konfirmon shqetësimet e BE-së: procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësime të dukshme dhe reformat e mëtejshme. Raportet për parregullsi duhet të hetohen në mënyrë transparente, përfshirë ato që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale. BE-ja përshëndet shprehjen e gatishmërisë së autoriteteve në Serbi për të punuar në zbatimin e rekomandimeve. Nuk ka kohë për të humbur në prag të zgjedhjeve të ardhshme në vend.

Në raportin e ODIHR-it, të publikuar një ditë më parë, ndër të tjera u tha se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë “ka dominuar pjesëmarrja vendimtare e presidentit (të Serbisë, Aleksander Vuçiç), i cili së bashku me përparësitë sistematike të partisë së pushtet (Partisë Progresive Serbe), ka krijuar kushte jo të barabarta për pjesëmarrësit në procesin zgjedhor.

Po ashtu, aty u vu në dukje se në zgjedhjet e 17 dhjetorit të kaluar në Serbi, mes të tjerash, liritë themelore në përgjithësi janë respektuar, por në fushatën zgjedhore ka pasur një retorikë të ashpër, anshmëri në raportimet e mediave shtetërore, si dhe keqpërdorim të burimeve të administratës publike. Raporti konstaton po ashtu se nuk janë përdorur në mënyrë të mjaftueshme mekanizmat për parandalimin e frikësimit dhe presionit ndaj votuesve.