Rajoni

BE: Serbia do të ketë pasoja për mospërshtatje me politikën tonë të jashtme!

Bashkimi Europian paralajmëroi se për Serbinë do të ketë pasoja për shkak të mospërshtatjes me qëndrimet e politikës së jashtme të bllokut. Ky reagim i zëdhënësit kryesor të Komisionit Europian, Eric Mamer, vjen pasi Beogradi nuk e mbështeti deklaratën e 27 shteteve të BE-së lidhur me vdekjen e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny. Përmes kësaj deklarate, Blloku fajësoi presidentin Putin, për vdekjen e kritikut të Kremlinit.

Përshtatja është pjesë e procesit të anëtarësimit. E qartë që ka pasoja në rast të mospërshtatjes me pozicionet e BE-së pasi kjo është një kërkesë bazike. Një vend duhet të përshtatet me këto qëndrime për t’u bërë vend anëtar i BE-së. Serbia është shprehur se anëtarësimi në BE është një qëllim strategjik i saj.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Peter Stano, përsëriti thirrjen për të gjitha shteteve që të përshtaten me politikat e Unionit dhe të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj vlerave europiane.

Bashkimi Europian dëshiron që të mbështetet në të gjitha vendet kandidate si partnere të besueshme europiane për parimet e përbashkëta, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin. Deklarata për Navalny-n ishte pikërisht për vlerat dhe parimet, pasi kishte të bënte me një vdekje të papritur të një të burgosuri politik, si rezultat i veprimeve të autoriteteve ndaj tij.

BE-ja dhe vendet anëtare kanë përsëritur në dhjetor, në përfundimet e takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme pritshmëritë e tyre të fuqishme që Serbia të shtojë përpjekjet për t’u përshtatur në tërësi me qëndrimet e përbashkëta të BE-së në fushat e politikës së jashtme e të sigurisë, si dhe me masat shtrënguese, përfshirë ato ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Me lule në duar dhe të rrethuar nga forcat e sigurisë, qytetarë të shumtë u mblodhën në rrugët pranë Kishës “Ikona e Nënës dhe Zotit” e varrezës Borisovskoye në Moskë për funeralin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili u përcoll për në banesën e fundit. Babai Anatoliy dhe nëna Lyudmila ishin aty, por nuk bënë ndonjë deklaratë publike.

Bashkëpunëtori i Navalny-t, Ivan Zhdanov i nxiti njerëzit të ecin në këmbë nga kisha deri te varri, rreth 30 minuta më larg. Disa persona janë dëgjuar duke bërtitur jashtë kishës “Ekzekutues”, “Rusia do të jetë e lirë”, “Jo luftës”.

Të tjerë në lot u shprehën se nuk do ta harrojnë. Ceremonia fetare u mbajt te kisha në qarkun Marjino, ku Navalny ka jetuar për disa kohë, sipas ish-zëdhënëses së tij, Kira Yarmysh. Diplomatë të huaj, përfshirë ambasadorët e Shteteve të Bashkura, Gjermanisë, Francës shkuan në kishë për homazhe.