Bota

Beteja për qytetin Kharkiv, Putin: Nuk planifikojmë pushtimin, Kievi është fajtor për luftimet!

Rusia nuk ka plane të pushtojë Kharkivin, qytetin në verilindje të Ukrainës, tha të premten presidenti rus Vladimir Putin.

“Sa i përket Kharkivit, nuk ka plane të tilla”, tha udhëheqësi rus, duke iu përgjigjur një pyetjeje përkatëse nga mediat.

Sipas tij Kievi është fajtor për betejat e vazhdueshme në drejtimin e qytetit ukrainas.

“Tani për atë që po ndodh në drejtimin e Kharkivit. Autoritetet ukrainase janë gjithashtu fajtorë për këtë sepse bombarduan dhe vazhdojnë të bombardojnë, për fat të keq, zonat e banuara të territoreve kufitare, duke përfshirë Belgorodin. Civilët po vriten atje. Është e qartë se ata po bombardojnë drejtpërdrejt qendrën e qytetit dhe lagjet e banimit, unë e kam thënë publikisht se nëse kjo do të vazhdojë, ne do të duhet të krijojmë një zonë sigurie”, tha Putin.

Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi Perëndimin se po luante me zjarrin duke lejuar Ukrainën të përdorë raketa dhe armë perëndimore për të goditur Rusinë dhe se Moska nuk do ta linte një veprim të tillë pa përgjigje, raportoi Reuters.

Ministria e Jashtme tha në një deklaratë se ka konstatuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë pas një vale të fundit sulmesh dhe fajësoi Uashingtonin dhe Londrën për përshkallëzimin e konfliktit duke autorizuar Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë të furnizuara nga këto vende.

“Edhe një herë, ne dëshirojmë të paralajmërojmë pa mëdyshje Uashingtonin, Londrën, Brukselin dhe kryeqytetet e tjera perëndimore, si dhe Kievin, i cili është nën kontrollin e tyre, se po luajnë me zjarrin. Rusia nuk do të lërë pa përgjigje shkelje të tilla në territorin e saj”, thuhet në deklaratë.