Sport

Botërori “i pasur”, nis “shpërndarja” e përfitimeve për klubet!

Siç pritej, sot FIFA filloi procesin e aplikimit për Programin e Përfitimeve të Klubeve, në të cilin 209 milion dollarë do të shpërndahen për klubet në të gjithë botën. Më herët, ekzekutivi i futbollit botëror vendosi që klubeve të futbollit t’u paguajë miliona dollarë, pasi lojtarët e tyre u bënë pjesë e Kupës së Botës 2022 në Katar. Vendimi është pjesë e angazhimit të FIFA-s për të njohur kontributin që klubet e futbollit japin në organizimin e suksesshëm të Kupës së Botës.

Në një deklaratë, theksohet se pjesë e kësaj nisme janë 416 skuadra nga 63 federata anëtare e që padyshim do të përfitojnë nga kjo shumë.

Një klub mund të aplikojë në këtë program për të përfituar 180 mijë dollarë për çdo lojtar pjesëmarrës në fazën e grupeve të Kupës së Botës.

Nëse kombëtarja e lojtarit kalon fazën e grupeve dhe arrin në 1/16 e finales, shuma rritet në 220 dollarë. Gjithashtu shuma rritet në 280.000 dollarë për çerekfinalet, 320.000 dollarë nëse kualifikohen në gjysmëfinale dhe 370.000 dollarë për finalen.

Klubi anglez i Premierligës, Manchester City, do të arkëtojë 5,5 milion dollarë nga Programi i Përfitimeve të Klubeve të FIFA-s për pjesëmarrjen e 16 lojtarëve të tyre në Kupën e Botës në Katar. Skuadra e La Ligës, Barcelona, do të marrë 4,1 milion dollarë, ndërsa Manchester United do të marrë gjithsej 3,6 milion dollarë.