Bota

Brazili “përballet” me të nxehtin ekstrem!

Lëshohen alarmet e kuqe për gati 3.000 qyteza e qytete në Brazil që është duke u përballur me valë të pashembullt të nxehtësisë. Rekordet janë thyer në disa zona, përfshirë qytetin Rio de Zhaneiro  ku është krijuar ndjesia se temperatura ka qenë 52.5 gradë celsius.

Më shumë se 100 milionë njerëz janë prekur nga i nxehti, i cili pritet të zgjasë deri të premten. Zyrtarët brazilianë kanë thënë se fenomeni El Nino dhe ndryshimet klimatike qëndrojnë mbrapa një moti të tillë.

Qyteti i Sao Paulos e ka regjistruar një mesatare prej 37.3 gradësh celsius në mesditën e së martës, ka raportuar Instituti Kombëtar i Meteorologjisë.

“Jam i dërmuar, është e vështirë”, ka thënë Riquelme da Silva, 22-vjeçar, për agjencinë e lajmeve AFP.

“Kur shkoj në shtëpi, bëj dush me ujë të ftohtë, përndryshe nuk mund të zgjohem, sepse jam shumë i lodhur. Është e vështirë edhe të flesh”.

Dora, 60-vjeçare, shitëse në rrugë, e ka përshkruar të nxehtë si të “padurueshëm” për ata që punojnë në ambiente të jashtme. Ky mot i nxehtë është regjistruar në Brazil, më shumë se një muaj para nisjes së verës në hemisferën jugore.

Sipas shkencëtarëve, valët e të nxehtit po bëhen më të gjata dhe më intensive në shumë vende, dhe kjo situatë pritet të vazhdojë, përveç nëse merren masa për ta luftuar emetimin e gazrave serrë. Ndërkohë, bota tani është duke u përballur me fenomenin El Nino, përgjatë të cilit rriten temperaturat globale, për shkak të ngrohjes së konsiderueshme të ujit në oqeane.

Si do të ndikojë fenomeni El Nino në motin e gjithë botës?

Shtetet në gjithë botën janë duke u përgatitur për mot ekstrem, më vonë gjatë vitit, meqë bota do të përballet me El Ninon – femonenin klimatik që nxit ciklone tropikale në Paqësor, ashtu sikurse shira të rrëmbyeshëm dhe rrezik për vërshime, në kontinentin amerikan dhe rajone tjera.

Të enjten, Administrata amerikane për Oqeane dhe Atmosferë, ka deklaruar se El Nino është duke ardhur. Në tre vjetët e fundit, ky fenomen është dominuar nga fenomeni tjetër, La Nina.

Shkencëtarët besojnë se ky vit është shqetësues. Herën e fundit kur El Nino është shtirë në kapacitet të plotë ka qenë viti 2016, kur bota e ka regjistruar vitin më të nxehtë ndonjëherë.